Veseli përvetëson meritat për arritjen e konsensusit Haradinaj-LDK, fton VV-në dhe serbët të votojnë pro demarkacionit

E publikuar: 24/02/2018 22:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka përvetësuar meritat për marrëveshjen e arritur mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në lidhje me votimin pro Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

“Pas bisedës që kam pasur sot me Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, është arritur pajtueshmëri që Projektligji për Demarkacionin të mbetet i njëjtë siç ka ardhur nga Qeveria e Kosovës, përveç se në Pikën 1.2 të Nenit 3 është shtuar fjala ‘si orientim’, me kërkesë të LDK-së, pikë kjo në të cilën flitet për Dokumentacionin Zyrtar të Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit”, ka thënë Veseli në një postim në Facebook.

Ai ka falënderuar Kryeministrin dhe LDK-në për “vullnetin e mirë që t’i kontribuojnë arritjes së konsensusit nacional”.

Me këtë rast, ai ka ftuar edhe subjektet tjera politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, “Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Serbe, që të reflektojnë dhe të votojnë ‘pro’ Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit të Kosovës me Malin e Zi”.