Spitalet e Gazës në prag kolapsi, nuk ka drita e as ujë

E publikuar: 25/10/2023 12:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në ditën e 18-të, lufta mes Izrealit dhe Hamasit ka hyrë në një fazë të vështirë, me miliona që janë në një krizë të vërtetë humanitare. Ndërkohë sulmet e ushtrisë izraelite vazhdojnë, duke shkaktuar mbi 700 të vrarë vetëm në 24 orët e fundit.

Shqetësimi më i madh në këto momente, edhe i agjencive kryesore të OKB, është ndalimi i operacioneve e ndërhyrjeve të menjëhershme pasi spitalet nuk kanë më, as energji elektrike, as naftë për gjeneratorët, as furnizimet e nevojshme për spital, nga uji i distiluar.

Edhe njëherë Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres përsërit thirrjen për një armë-pushim të menjëhershëm, duke nxitur Izraelin që të kërkojë edhe dorëheqjen e tij.

Mjekët në Gaza, po punojnë edhe sipas agjencive të Kombeve të Bashkuara, në kushte çnjerëzore, pasi në mes të një shiu bombash, pacientët e sidomos fëmijët, e kanë të domosdoshëm oksigjenin, që për çështje orësh, do të mbarojë.

Deri tani, po sipas autoriteteve palestineze, vetëm 8 nga 20 kamionët me ndihma drejt Gazës, kanë arritur të kalojnë kufirin përmes qytetit të Rafah.

Sipas OKB, 6 spitale kanë dalë jashtë funksionit, që nga nisja e luftës. Po sipas OKB, janë mbi 1 mijë pacientë çdo ditë që rrezikojnë jetën pasi varen nga dializa dhe mbi të gjitha, në rrezik është jeta e 130 bebeve, të ardhura në jetë para kohe./abcnews.al