Sipas Vuçiqit, edhe SHBA si Serbia, nuk ka dialog pa heqjen e plotë të taksës

E publikuar: 02/03/2020 11:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Serbia, menjëherë pasi Kosova hoqi taksën në mënyrë të pjesshme, tashmë ka kërkuar që taksa të hiqet plotësisht nga ana e Kosovës.

Ky lajm është deklaruar nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq, i cili pas një takimi në Uashington me Matthew Palmer ka thënë se heqja e pjesshme e taksës nuk është e mjaftueshme për të nisur dialogun Kosovë-Serbi, transmeton Dita.

Sipas tij dialogu me Kosovën mund të vazhdojë vetëm pas largimit të plotë të masës 100% të vendosur nga qeveria e kaluar në nëntor 2018.

Gjithashtu presidenti serb ka thënë se ky vendim mbështetet edhe nga i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili është pro heqjes së plotë të taksës së vendosur ndaj mallrave serbe.

“Palmer pajtohet me ambasadorin Richard Grenell që tarifat duhet të hiqen plotësisht. Nuk ka diskutime thelbësore me Prishtinën dhe nuk do të ndodhë derisa ata të heqin tarifat. Mund të flasim për asgjë, mund të takohemi, por nuk ka diskutime thelbësore për çështje të rëndësishme”, është shprehur Vuçiq.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se nga data 15 mars do të heqë taksën ndaj lëndës së parë nga Bosnja e Serbia.

“Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në këtë fushatë miqësore, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020 do ta heqë tërësisht tarifën për një periudhë 90 ditore. Nëse Serbia nuk e përfill qëndrimin e Kosovës dhe nuk fillon heqjen e barrierave, me fillim nga data 1 prill do të nisë zbatimi i reciprocitetit, njëherë me fushën e tregtisë e pastaj në fushën ekonomisë. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe 90 ditësh për heqjen e tarifës për lëndën e parë, atëherë Qeveria nga data 15 qershor do ta kthejë tarifën deri në zbatimin e reciprocitetit”, ka thënë Kurti.