Shënohet 140 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vihet gurthemeli i shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes

E publikuar: 10/06/2018 11:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me vënien e gurthemelit të kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, ka nisur sot në Prizren shënimi i 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që po mbahet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit dhe në kuadër të shënimit të Vitit Mbarëkombëtarë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, organizim ky që ka bërë bashkë Qeverinë e Kosovës, Shqipërisë dhe atë të Maqedonisë për të nderuar veprën e heroit, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Në vënien e gurthemelit të udhëheqësve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, Ymer Prizreni (kryeministër), Abdyl Frashëri (Ministër i Punëve të Jashtme) dhe Sulejman Vokshi (Ministër i Mbrojtjes), përveç kryeministrit Ramush Haradinaj morën pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ministra nga kabineti qeveritar, përfaqësuesi i Familjes Jashari, Rifat Jashari dhe përfaqësues të tjerë institucional.

Kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka dhe personalitete të tjera më pas mori pjesë në ekspozitën e buqetave të skulptorëve për konkursin mbarëkombëtar të cilët kanë konkurruar për kompozicionin e shtatoreve, si dhe në ekspozitën e Bankës Qendrore të Kosovës, Bankës Qendrore të Shqipërisë dhe muzeut të Prishtinës.

Në këtë ekspozitë në ambientet e brendshme të Lidhjes së Prizrenit u bë prezantimi i monedhave antike dhe mesjetare, dhe i të gjitha monedhave kombëtare shqiptare që mbajnë portretin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, duke filluar nga 1926 e deri në ditët e sotme. Një pjesë e këtij koleksioni është përdorur edhe në Kosovë dhe në tokat tjera kombëtare shqiptare gjatë luftës së dytë botërore. Veçantia e kësaj ekspozite është se përmban edhe monedhat përkujtimore shqiptare të vitit 2013 të cilat përkujtojnë 135 vjetorin e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit dhe gjithashtu Përvjetorin e Kongresit të Manastirit. Po në këtë ambient u shfaqën edhe simbolika nga katër vilajetet shqiptare, derisa në ambientin e jashtëm u shfaq ekspozita me dokumente të Arkivit Qëndror shtetëror të Shqipërisë dhe Agjencisë Kombëtare të Arkivave të Kosovës nga viti 1878 – 2018.

Pjesëmarrës në këto aktivitete janë edhe personalitetet dhe liderët institucionalë nga të gjitha trevat shqiptare.

Shënimi i 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit do të vazhdoj edhe gjatë ditës meqrast këtij përvjetori do t’i dedikohet një Seancë Solemne nga Kuvendi i Kosovës, Akademi Solemne, Konferenca shkencore 140 vjetori i Lidhjes, në të cilën do të prezantohen punimet nga Instituti i Historisë nga Tirana, Shkupi dhe Prishtina dhe Ekspozita mbarëkombëtare në pikturë./Infosot/