Është caktuar data e shqyrtimit të ankesës kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit ndaj Sami Lushtakut në Gjykatën Supreme.
Ankesa e mbrojtjes për rastin “Drenica 1” do të shqyrtohet nga Gjykata Supreme më 20 qershor.
Lajmin e ka bërë të ditur për Gazetën Express avokati i Lushtakut, Arianit Koci.
Duke mos u pajtuar me vendimin e Gjykatës së Apelit që Sami Lushtakun e dënoi me 7 vite burg, avokati Koci i ishte drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës.
Koci përmes një njoftimi në faqen e tij në “Facebook” kishte bërë të ditura arsyet e ankesës.
“Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe e ka zëvendësuar me aktgjykim dënues për të pandehurin Sami Lushtaku, për veprën penale “cenimi i integritetit trupor dhe shëndetit të një numri të papërcaktuar të civilëve shqiptarë”, që ndërlidhet me Përgjegjësinë Komanduese të pandehurit, duke e dënuar me shtatë (7) vite burgim”, thuhet në njoftimin e Kocit.
Në ankesën e tij, avokati Koci pretendon se Gjykata e Apelit aktgjykimin dënues nuk e ka mbështetur në prova të mjaftueshme.
“Pra, konstatimi i Gjykatës së Apelit lidhur me “fajësinë” e Sami Lushtakut është bërë duke u mbështetur në prova të pamjaftueshme, duke u bazuar vetëm në një deklaratë të një dëshmitari, të nxjerrë tërësisht nga konteksti dhe duke e zhvendosur barrën e provës në mbrojtjen, gjë e cila është në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare penale”, thuhet në njoftimin e Kocit.