Putini nis kërcënimet ndaj Prigozhinit: Organizatorët e revoltës do të sillen para drejtësisë

E publikuar: 27/06/2023 09:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka mbajtur një fjalim pas ngjarjeve të javës së kaluar me grupin famëkeq, Wagner.

Putin u zotua se organizatorët e revoltës do t’i sjellë “para drejtësisë”, teksa tha se ushtarët e rregullt të Wagnerit kanë mundësi që t’i bashkohen përsëri ushtrisë, të shkojnë në Bjellorusi apo të kthehen në shtëpi.

Rusia ua ka bërë me dije “formacioneve vullnetare” se do t’u kërkohet të nënshkruajnë kontrata me Ministrisë e Mbrojtjes, në një lëvizje që shihet gjerësisht si një kërcënim për kontrollin e Prigozhin ndaj Wagner, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Shefi i mercenarëve tha se rebelimi i tij ishte gjithashtu një protestë ndaj gabimeve të bëra nga zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes gjatë luftës me Ukrainën teksa këmbënguli se Wagner kishte vepruar gjithmonë dhe vetëm në interes të Rusisë.

Këto ishin komentet e para publike të Prigozhin që kur ra dakord për një marrëveshje për të ndalur rebelimin, i cili thuhet se përfshin shkuarjen e tij në Bjellorusi me heqjen e të gjitha akuzave penale kundër tij – megjithëse media shtetërore ruse, duke cituar zyrtarë, ka raportuar se ai mbetet nën hetim.Ai tha se i dha fund rebelimit për të ndaluar “derdhjen e gjakut të ushtarëve rusë”, duke shtuar se disa civilë rusë ishin të zhgënjyer që marshimi ishte ndalur.