Presidenti: Themelimi i ushtrisë në fazën përfundimtare

E publikuar: 01/11/2017 11:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, po merr pjesë në një debat të hapur me shoqërinë civile, ku po diskutohet rreth qëndrimit të komunitetit serb për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai ka thënë se para më shumë se gjysmë viti, si President i Republikës së Kosovës, në kuadër të përgjegjësive të tij kushtetuese, ka nisur procesin e shndërrimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Jam i bindur që ky hap final i bërjes së Kosovës me Forca të Armatosura, pas një periudhe të gjatë të zhvillimit të Forcave të Sigurisë, në një partneritet të shkëlqyeshëm me SHBA-në, KFOR-in dhe NATO-n, është në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës, në interes të gjitha komuniteteve, të sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon. Për më tepër, duhet ta bëjmë të qartë se Forcat e Armatosura të Kosovës nuk paraqesin asnjë lloj kërcënimi ashtu siç nuk paraqet sot asnjë kërcenim FSK-ja”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, qëllimi i vetëm i FSK-së sot, dhe i Forcave të Armatosura të Kosovës nesër, do të mbetet i njëjtë, pra fuqizimi i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe me gjerë dhe ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit tonë.

“Ky proces i filluar vite më parë, gradualisht është duke shkuar drejt fazës përfundimtare të vet”, ka thënë ai.

Ashtu siç ndodh me shumë procese, Thaçi ka thënë se edhe procesi i transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës ka ngjallur shumë debate që shpesh herë janë përcjellë me keqkuptime që ndërlidhen kryesisht me mënyrën sesi duhet të ndodhë ky transformim.

“Krejt kjo është e natyrshme duke marrë në konsideratë rrethanat specifike në Kosovë, rajon, por mbi të gjitha në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.

Presidenti është shprehur i bindur se me ushtri do ta kuptohet se është vlerë e përbashkët e të gjithëve.

“Edhe sot ne jemi krenar se në përbërjen e saj janë 103 përfaqësues të komunitetit serbë. Jam i vetëdijshëm për shqetësimet tek politikanët dhe qytetarët serbë për ushtrinë, por ne do vazhdojmë të bisedojmë qe nese duhet të bisedoj cdo ditë me ta për të shpjeguar pse duhet bërë ushtria”

Thaçi ka përmendur takimin e para disa ditëve me ambasadorët e huaj, duke thënë me ta ka konkluduar se është në interesin e te gjithë të punohet për qëllimin e përbashkët për ketë proces. /Express/