Pesë vite dhimbje e krenari, përkujtojmë gazetarin e themeluesin e Radio Star – Xhavit Salihu

E publikuar: 12/12/2022 18:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkruan: Sylejman Ismajli

Mbrëmja e 12 dhjetorit 2017 për familjen Salihu, shoqërinë, qytetin e Gjilanit por edhe më gjerë, ishte një mbrëmje e pikëllimit pasi që nga ne u nda ish-gazetari e themeluesi i Radio Star, Xhavit Salihu, duke na lënë të pikëlluar por krenar me punën e tij profesionale, gjithashtu ai ishte një qytetar e shokë që vështirë të përsëritet për një kohë të gjatë.

Xhavit Salihun ishte dhe do të mbetet një vizionar i gazetarisë, i kulturës e mbi të gjitha ai ishte me virtytet të larta njerëzore e profesionale, prandaj ai ka lënë gjurmë të pashlyera kudo që u paraqit me profesionin e tij të gazetarisë.

Xhaviti ishte një qytetar i devotshëm i këtij vendi, ai që në fëmijëri e deshi muzikën, kulturën e artin. Xhaviti ishte edhe koleksionues i disqeve të gramafonit me këngëtarët më me zë të kohës.

Salihu me të madhe e deshi zejen e gazetarisë, nga dashuria e tij ndaj mediumeve ai me shumë profesionalizëm themeloi Radio Star në vitin 2002, duke i shtuar popullit të tij një dritare informative.

Ishin këto valët 96,4 ku jehonin në territorin e Anamoravës me emisione të larmishme. Kjo radio u bë familje e dytë në shoqërinë tonë për cilësinë dhe seriozitetin që kishte ky medium.

Për ish-gazetarin Xhavit Salihun, hapja e një mediumi të tillë kishte emancipimin e edukimin e shoqërisë e informimin e drejt tek dëgjuesit e saj të rregullt.

Ai po jetësonte një ëndërr të fëmijërisë së tij duke qenë besnik i madh
i shoqërisë kosovare me punën që po bënte në radion e tij. Edhe pse në kushte të vështira të asaj kohe Xhaviti nuk ndahej me ditë të tëra nga studio e tij me të vetmin qëllim që dëgjuesit e Radio Star të jenë të kënaqur me atë se çka ofronte me programet e tija.

Xhavit Salihu në jetën e tij kishte një ëndërr që Radio Star të jetë një gurëthemel i
diturisë e edukimit të brezave të ndryshëm, dhe këtë e arriti me shumë sukses pasi pas ti la dy djemët e tij shumë të talentuar Arbresh e Flakron Salihu, të cilët jo që po trasojnë rrugën e prindit të tyre por kanë modernizuar Radio Star me mjetet më bashkëkohore, dhe në kohën e digjitalizimit botëror sot ata pa asnjë pengesë kanë bërë që të dëgjohen me kënaqësi valët 96.4 të Radio Star në tërë rruzullin botëror.

Radio Star sot ka të përmbushura të gjitha kriteret e kërkuara nga KPM me staf e teknologji më të lartë të kohës.

Xhavit Salihu tani e pesë vite na mungon çdo ditë jo vetëm shoqërisë e familjes së tij por edhe dëgjuesve të cilët i shoqëroi plot 15 vite, e ne do të jemi krenar që një jetë të tillë e kaluam me një njeri të kulturuar e vizion të qartë siç ishte gazetari, Xhavit Salihu.