Reagon ashpër tifogrupi “Arpagjik’t”: Po refuzohemi në futboll dhe basketboll

E publikuar: 24/04/2026 22:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tifogrupi zyrtar i klubeve prizrenase, KF Liria dhe KB Bashkimi ka reaguar ashpër ndaj institucioneve sportive në vend, duke i akuzuar ato për pengimin e organizimit dhe mbështetjes së tifozëve në ndeshje të rëndësishme.

Sipas reagimit, në futboll, për ndeshjen e rëndësishme në Gjakovë, tifogrupi kishte kërkuar 500 bileta, ose ndryshim të lokacionit në rast se stadiumi nuk plotësonte kushtet. Megjithatë, kërkesa nuk është marrë parasysh dhe në dispozicion janë vënë vetëm 50 bileta, një numër që cilësohet si “qesharak”.

Ata theksojnë se gjithmonë kanë qenë të hapur ndaj tifozëve mysafirë në Prizren, duke e konsideruar rivalitetin në tribuna si një nga elementet më të bukura të sportit.

Në anën tjetër, në basketboll, për ndeshjen ndaj KB Bora, tifogrupi kishte kërkuar po ashtu 500 bileta, duke marrë parasysh se kundërshtari nuk ka tifozëri të organizuar. Por kërkesa është refuzuar dhe, sipas tyre, është ndaluar plotësisht udhëtimi i organizuar i tifozëve.

Në reagim thuhet se një vendim i tillë është vazhdim i praktikës së Federata e Basketbollit e Kosovës për të bllokuar tifogrupet me arsyetimin e sigurisë.

Tifogrupi prizrenas rithekson se në qytetin e tyre çdo tifogrup është mirëpritur gjithmonë dhe nuk ka pasur pengesa për ardhjen e tyre, duke theksuar se “bllokimi nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e mentalitetit tonë”.

Në fund, ata dërgojnë një mesazh të qartë për institucionet: sporti luhet për tifozë.