Shtetet e Bashkuara po “poshtërohen” nga Irani, tha të hënën kancelari gjerman Friedrich Merz, duke paralajmëruar se konflikti mes dy vendeve nuk ka gjasa të përfundojë së shpejti.
“Iranianët janë qartazi më të fortë se sa pritej dhe amerikanët duket se nuk kanë një strategji vërtet bindëse në negociata,” tha Merz gjatë një vizite në një shkollë në Marsberg, një qytet në rajonin e tij të lindjes, Sauerland, raporton dpa, përcjellë KosovaPress. “Problemi me konflikte të tilla është gjithmonë ky: nuk mjafton vetëm të hysh, duhet edhe të dalësh. Këtë e pamë shumë dhimbshëm në Afganistan, për 20 vjet. E pamë edhe në Irak.”
SHBA-ja “qartazi hyri në këtë luftë pa asnjë strategji,” tha Merz, duke shtuar se kjo e bëri edhe më të vështirë përfundimin e konfliktit.
“Sidomos duke qenë se iranianët po negociojnë shumë me mjeshtëri, ose thjesht me mjeshtëri po shmangin negociatat,” shtoi ai. “Një komb i tërë po poshtërohet nga udhëheqja iraniane.”
Kancelari gjerman tha po ashtu se situata në lidhje me luftën në Iran është mjaft e tensionuar, për momentin dhe atë jo vetëm në këtë pjesë të botës ku po vazhdon konflikti.
“Po na kushton shumë para. Ky konflikt, kjo luftë kundër Iranit, ka ndikim të drejtpërdrejtë në prodhimin tonë ekonomik”, shtoi ai.
Gjermania ka shfaqur gatishmëri që të dërgojë anije për pastrimin e minave detare në Ngushticën e Hormuzit, hapja e së cilës është thelbësore për furnizimin global me naftë, tha ai. Megjithatë, kushti paraprak për këtë është që fillimisht të përfundojnë armiqësitë, që nisën më 28 shkurt, kur Amerika dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit.
















