
Presidentja Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me kongresistet Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan, të shoqëruara nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, si dhe anëtarë të tjerë të delegacionit të Kongresit Amerikan.
Gjatë takimit në një njoftim të presidencës thuhet se është diskutuar për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë, si dhe për thellimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me theks të veçantë në fushat e mbrojtjes, investimeve dhe avancimit të marrëdhënieve bilaterale.
Presidentja Osmani theksoi se partneriteti strategjik me SHBA-në është themeli kryesor për sigurimin e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Ajo nënvizoi se çdo herë që SHBA-ja ka qenë e përfshirë aktivisht në rajon, janë arritur zgjidhje të qëndrueshme dhe është bërë progres i rëndësishëm.
Gjithashtu, Osmani shprehu falënderimet më të thella për praninë e vazhdueshme të trupave amerikane në Kosovë, duke theksuar se ky angazhim ka qenë vendimtar për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në periudhat më të vështira.
Presidentja theksoi se ndihma dhe mbështetja amerikane, që nga momentet më sfiduese, dëshmojnë për miqësinë e palëkundur dhe përkushtimin e përbashkët për paqen dhe prosperitetin në rajon.
Duke falënderuar kongresistet për mbështetjen e tyre ndaj Kosovës, Osmani shtoi se bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-në është jetik për arritjen e synimeve euroatlantike të vendit, të cilat mbeten qëllim i palëkundur për Republikën e Kosovës, sipas komunikatës zyrtare.