Osmani pret në takim lamtumirës ambasadoren e Estonisë, e falënderon për “forcimin e marrëdhënieve”

E publikuar: 01/07/2025 15:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim lamtumirës ambasadoren jorezidente të Estonisë në Kosovë, Janne Jõesaar-Ruusalu, me rastin e përfundimit të mandatit të saj diplomatik.

Gjatë takimit, Osmani e falënderoi ambasadoren Jõesaar-Ruusalu për “angazhimin e saj të çmuar në forcimin e marrëdhënieve” ndërmjet Kosovës dhe Estonisë.

Siç njofton Presidenca, ajo u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin në fushat e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike, ndërkaq ripërsëriti iniciativën e saj për thellim të raporteve me Estoninë në fushën e mbrojtjes.

Osmani po ashtu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.

Në fund, Presidentja uroi ambasadores Jõesaar-Ruusalu suksese të mëtejshme në angazhimet e saj të ardhshme diplomatike.