Numri i lartë i vdekjeve mban peng lirimin e masave

E publikuar: 24/08/2020 15:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, mori pjesë në takimin me kryetarët e Komunave, në të cilin u diskutua për bashkërendimin e aktiviteteve për menaxhimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, si dhe për përgatitjet që po bëhen për fillimin e vitit të ri shkollor.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Hoti i falënderoi kryetarët e komunave për punën që po bëjnë për ta kaluar sa më lehtë gjendjen aktuale si pasojë e pandemisë COVID 19.

Por, në këtë takim nga kryetarët e Komunave iu kërkua kryeministrit lehtësimi i disa prej masave, por ai tha se një gjë e tillë nuk do të ndodh për shkak të numrit të lartë të vdekjeve me COVID-19.

“Ngadalë është krijuar kultura e përgjithshme e respektimit të masave, gati nuk sheh njerëz pa maska kur lëviz nëpër rrugë ose nëpër dyqane, pra nuk do të ketë nevojë shumë për masa sforcuese po më shumë për këshilla dhe informim më të drejtë. Nuk mund të them që do të shkojmë nga lirimi i masave, sepse situata me COVID-19 nuk është se është duke u lehtësuar, është fakt që ne kemi një numër më të vogël të rasteve të reja, por numri i rasteve me fatalitet është shumë i lartë, tepër i lartë”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, njëherësh kryesues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tha se kanë kërkuar që të lirohen disa prej masave të vendosura për mbrojtje nga COVID-19.

“Ne në vazhdimësi si kryetar, si linjë e parë që jemi në komunikim me qytetarin në vazhdimësi ka kërkesa që gastronomia të vazhdojë orarin deri në orën 24. Ne kërkuam nga kryeministri dhe ministrat e linjave që ata ta mundësojnë këtë gjë, me qëllim që t’iu krijohet mundësia që të funksionojnë normalisht ata, duke i respektuar edhe ligjet në fuqi po edhe rekomandimet e IKSHPK-së. Kërkuam që edhe komunat të cilat janë të izoluara të rishikohen edhe një herë për lëvizjen e lirë dhe gjithashtu për pishinat e hapura që ato të jenë funksionale, gjithherë duke i respektuar edhe masat. Po ashtu, kërkuam që fushat sportive që janë të hapura të shikohen edhe një herë”, tha ai.

Por, jo të gjithë kryetarët e komunave ishin pro lirimit të kërkesave, pasi kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, tha se nuk e ka kërkuar largimin e kufizimit të lirisë së lëvizjes.

“Jo nuk e kemi bërë një kërkesë (për lirim të masave), kryetarët e komunave të tjera kanë bërë kërkesë që të shihet që të largohet ky kufizim, por po e them, e keni pa ditëve të fundit natyrisht kur e arrin një kulm të infeksionit atëherë duhet të shohim rënien e numrave”, tha Ahmeti.

Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit, janë evidentuar 99 raste të reja pozitive me COVID-19. Brenda 24 orëve janë raportuar 13 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Gjatë kësaj periudhe, janë shëruar 152 pacientë derisa numri i rasteve aktive është 3.410.