Ministri Lekaj sqaroi vendimin e Qeverisë së Kosovës, për aneks-kontratën me “Bechtel & Enka”-n, për përfundimin e projektit të autostradës R6, Prishtinë – Hani i Elezit

E publikuar: 08/06/2018 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, mbajti konferencë për media lidhur me vendimn e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për aneks – kontratën me “Bechtel & Enka”-n, për përfundimin e projektit të autostradës R6, “Arbën Xhaferi”, Prishtinë – Hani i Elezit, nëpërmjet së cilës ka dhënë sqarime të detajuara sa i përket kronologjisë së këtij vendimi.

Ministri Lekaj, duke sqaruar se si ka rrjedhur i tërë procesi, që nga fillimi e deri në momentin kur është marrë vendimi nga ana e Qeverisë së Kosovës, tha:

“Duke e njohur interesimin e publikut dhe duke dashur të jemi transparent lidhur me vendimin e qeverisë, për pagesën e zgjatjes së afatit do t’ju prezantoj sot, se çka përmbanë marrëveshja për zgjatjen e afatit dhe korrospodencën zyrtare që Ministria e Infrastrukturës, e ka pranuar në vite e që reflekton rrugën deri në këtë vendim.

Shuma e pajtuar e zgjatjes së afatit do të jetë 45 milionë euro, plus TVSH-ja. Kostoja e zgjatjes së afatit është zvogëluar nga 63 milionë euro, në 45 milionë euro, plus TVSH-ja, pasi që “Bechtel & Enka” është e gatshme të heq dorë nga 9.9 milionë euro, shpenzime të shkaktuara nga reduktimi i vëllimit të punëve, gjatë viteve 2014-2017. Data e përfundimit të kontratës në kuptimin buxhetor dhe jo të përfundimit të punimeve është zgjatur nga 31 dhjetor 2018, deri më 1 qershor 2019, me shpenzime zero për Ministrinë e Infrastrukturës. Kjo siguron një mekanizëm ligjor dhe kontraktual për të paguar “Bechtel & Enka”-n, në vitin 2019-të, duke u pajtuar “Bechtel & Enka”, me këtë zgjatje me shpenzime zero, Ministria e Infrastrukturës, nën mandatin tonë është duke kursyer 5.5 milionë euro për muaj, për të zgjatur kohën prej 31 dhjetorit 2018.

Implementimi i planit të pagesës në vitin 2019-të, lejon që zgjatja e afatit të shpërndahet në mënyrë të barabartë me mbi 12 pagesa (këste) mujore, ku e fundit do të bëhet në qershor të vitit 2019. Kjo lejon që një pjesë e kostos së zgjatjes së afatit të paguahet në vitin 2019, në vend se të gjitha në vitin 2018. Ky plan i pagesës zvoglon kërkesën për buxhetin e vitit 2018 për përfundimin e projektit.

“Bechtel & Enka” nuk do të paraqesë kërkesë në lidhje me mungesat e alokimit të buxhetit për vitiet 2014-2016. “Bechtel & Enka” në shumën prej 63 milionë ishte duke kërkuar kompensim vetëm për shpenzimet e shkaktuara që kanë rezultuar si mungesë e alokimit të buxhetit në vitet e kaluara. Ndryshe nësë “Bechtel & Enka” do të paraqiste kërkesë, vlera do të ishte dukshëm më e lartë, kështu ministria, përmes kësaj marrëveshje, është duke e ulur riskun financiar dhe shpënzimet e qeverisë.

“Bechtel & Enka” nuk do të paraqesë kërkesë në lidhje me mungesat e buxhetit të alokuara për vitin 2017-të. Alokimi i buxhetit nga qeveria në vitin 2017-të për projektin ishte dukshëm më i ulët prej 240 milionë eurosh të kërkuara nga “Bechtel & Enka”, sidoqoftë, “Bechtel & Enka” është pajtuar që asnjë kërkesë nuk do të paraqitet si rezultat i kësaj mungese, duke siguruar kështu eliminimin e rrezikut për kërkesa shtesë ndaj qeverisë. Ajo nuk do të paraqesë asnjë kërkesë në lidhje me mungesën në alokimin e projektit të buxhetit, objekt i alokimit të buxhetit për vitin 2018-të, dhe do të angazhohet maksimalisht për përfundimin e punimeve brenda kohës së paraparë projektin.

Alokimi i vitit 2018-të prej 116.9 milionë eurosh, është dukshëm më i ulët se buxheti i kërkuar për të paguar punët në vitin 2018-të dhe kostoja për zgjatjen e afatit, duke e implementuar planin e pagesës në vitin 2019-të, është zvogluar presioni për pagesën e buxhetit të kërkuar. Është fakt se ne kemi pranuar disa njoftime dhe përpjekje për të zgjidhur këtë çështje dhe sot e përsëris me insistim dhe me plot argumente, se ka qenë e mundshme të zgjidhet kjo çështje dhe të menaxhohet, nëse veprimet do të merreshin në kohë nga ish-qeveria.

Siç e dini me 1 korrik të vitit 2014, është nënshkruar kontrata. Me 21 korrik 2014, ka filluar së zbatuari projekti. Me 24 shtator 2014, “Bechtel & Enka” ka dërguar letrën që përmban shumat e buxhetit të kërkuara, për të kompletuar projektin para datës 20 janar, sipas kontratës. Me 22 janar 2015, letër e dërguar nga “Bechtel & Enka”, e cila konfimon kërkesat e buxhetit të vitit 2015 për €220 million. Me 15 maj 2015, letër dërguar nga kompania mbikëqyrëse HILL, e cila konfirmon që një zgjatje e afatit prej 6 muajsh, është kërkuar për arsye të kufizimeve të Qeverisë së Kosovës në vitin 2014 dhe fillimin e vitit 2015. Me 22 tetor 2015, letër dërguar nga “Bechtel & Enka” për të rishikuar shumat e buxhetit për të kompletuar projektin para datës 20 Janar 2018, sipas kontratës bazuar në mungesat e buxhetit në vitin 2014, shpronësimit të vonuar dhe ndryshimet në legjislacionin e TVSH nga 16%, në 18%. Me 13 nëntor 2015, letër e dërguar nga “Bechtel & Enka”, duke shprehur shqetësimin se alokimi i buxhetit të vitit 2015 është i pamjaftueshëm dhe se fatura e muajit shtator nuk mund të paguhet. Me 14 janar 2016, letër e dërguar nga “Bechtel & Enka”, duke shprehur shqetësimin se alokimi i buxhetit të vitit 2016 në shumë prej €108 milion, është dukshëm më pak se €269 milion, të cilat kërkohen për të kompletuar projektin para datës 20 Janar 2018, sipas kontratës, do të thotë nuk po flitet këtu për punimet e realizuara, por duke u bazuar në kontratën që për punëdhënësin dhe punëmarrësin janë ligj.

Me 26 janar 2016, letra e dërguar nga “Bechtel & Enka”, duke rezervuar të drejtën për kërkesën për zgjatjen e afatit dhe shpenzimet e ndërlidhura si rezultat i alokimit të buxhetit per vitet 2014-2016, duke mos mundësuar përfundimin e projektit para datës 20 Janar 2018, sipas kontratës. Me 8 shkurt 2016, letra dërguar nga “Bechtel & Enka”, duke konfirmuar kërkesën e buxhetit të vitit 2016 dhe ndarjen prej €269.6 million. Me 20 shtator 2016, letra e dërguar nga “Bechtel & Enka”, duke rezervuar të drejtën për kërkesën për zgjatjen e afatit dhe shpenzimeve të ndërlidhura si rezultat i alokimit të buxhetit 2014-2016. Më tutje, letra konfirmon se diskutimet me “Bechtel & Enka”-n në lidhje me zgjatjen e kohës kanë qenë në vazhdimësi që nga fillimi i vitit 2016 dhe se qeveria e mëherëshme ka kërkuar nga “Bechtel & Enka” të performoi projekin brenda alokimit të buxhetit në vitin 2019. Me 30 shtator 2016, letra dërguar nga HILL duke rekomandur për zgjatjen e Kohës deri më datë 31 dhjetor 2018 me një shumë prej €14.7 million. Letra e HILL vë në dukje se “Bechtel & Enka” konsideron se shpenzimet e vërteta të jenë më shumë se €14.7 million euro. Ju e dini që ish ministri Zharku, ka deklaruar se kemi marrëveshje. Në asnjë dokument nuk kam gjetur një marrëveshje të tillë.

Me 30 shtator 2016, Komiteti Ndërministror, ka paraqitur një rekomandim në Zyrën e Kryeministrit për qeverinë që të aprovojë zgjatjen e afatit deri më datë 31 dhjetor 2018, me një kosto prej €14.7 million, jo për ta mbyllur kontratën, por vetëm për një vit për zgjatje. Me 8 dhjetor 2016, Zyra e Kryeministrit ishte përgjigjur, duke deklaruar se “Komiteti Ndërministror është kompetent për të performuar veprimet në lidhje me projektin, Rruga 6, autostrada “Prishtinë-Hani i Elezit” dhe ne konsiderojmë se nuk është e nevojshme që qeveria të ndërhyjë në punën e Komitetit”.

Me 10 janar 2017, Një mbledhje ishte mbajtur në të cilën kishte marrur pjesë Kryeministri, Zëvendës Kryemnistri, Këshilltari Ligjor i Kryeministrit, Ministri i Infrastrukturës, Ministri i Financave dhe “Bechtel & Enka”. “Bechtel & Enka”, ishte informuar nga zyrtarët e “Bechtel & Enka”-s ,se në atë kohë ishe pajtuar që “Bechtel & Enka” ka të drejtë për zgjatjen e afatit, për arsye të kufizimeve të buxhetit. Sidoqoftë, qeveria nuk ka ndërmarrur veprime të mëtejshme për të arritur një marrëveshje me “Bechtel & Enka”. Me 6 shkurt 2017, letra nga “Bechtel & Enka”, duke rezervuar të drejtën për kërkesën për zgjatjen e afatit dhe shpenzimeve të ndërlidhura si rezultat i alokimit të buxhetit për vitin 2014-2016 duke mos mundësuar përfundimin e projektit para datës 20 Janar 2018, sipas kontratës. Përveç kësaj “Bechtel & Enka” ka këshilluar se buxheti i pamjaftueshëm i alokuar për vitin 2017, mund të kërkojë një zgjatje të afatit deri në vitin 2019.

Me 18 prill 2017, letra dërguar nga “Bechtel & Enka”, duke kërkuar konfirmim formal për zgjatjen e afatit deri në datën 31 dhjetor 2018 dhe duke deklaruar se çështjet komericlae (shpenzimet) duhet të dakordohen ndaras. Pra, prap po e citoj se ndërlidhet me marrëveshjen që është deklaruar ish ministri që ka pasur me Bechtel & Enka-n, “letra dërguar nga “Bechtel & Enka”, duke kërkuar konfirmim formal për zgjatjen e afatit deri në datën 31 dhjetor 2018 dhe duke deklaruar se çështjet komericlae (shpenzimet) duhet të dakordohen ndaras”, që do të thotë për qytetarët e Kosovës, sikur edhe të ishte nënshkruar kjo marrëveshje, e që nuk është marrë asnjë veprim prej letrës së qeverisë, këmbimit të letrave të Qeverisë së Kosovës me Komitetin Ndërministror, prap do të kishte me ardhë kërkesa komerciale nga “Bechtel & Enka”, që do të thotë se për mos veprimin e tyre dhe mos vendimin, apo nënshkrimin e marrëveshjes mes “Bechtel & Enka”-s dhe ministrisë, apo Komitetit Ndërministror, në këtë drejtim të Qeverisë së Kosovës, kemi arritur deri këtu dhe sot po diskutojmë për 53 milionë euro.

Me 10 maj 2017, shpërbërja e qeverisë , siç ju e dini dhe me 9 shtator 2017 u formua qeveria e re. Tani po fillojmë për mandatin tonë që e kemi marrë përgjëgjësinë. Me 27 shtaor 2017, për shmangien e rrezikut të shuarjes së kontratës me “Bechtel & Enka”, me datë 20 Janar 2018 një ndryshim i kontratës është nënshkruar nga “Bechtel & Enka”dhe Ministria e Infrastrukturës, për zgjatjen e afatit deri më datën 31 dhjetor 2018, me shpenzimet e ndërlidhura për t’u pajtuar ndaras, që do të thotë se ne kemi bërë vetëm zgjatjen e kontratës deri më 31 dhjetor 2018, pa e përfshirë koston apo anën financiare. Për arsye të vonesës së qeverisë së mëparshme nga fillimi i vitit 2016 për të bërë një marrëveshje formale me “Bechtel & Enka”, “Bechtel & Enka” ka humbur mundësinë për të ndërmarrë veprimet për të rritur përdorimin e burimeve dhe produktivitetit. Si rezultat i shpenzimeve të ndërlidhura me paisjet dhe alokimi i fuqisë njerëzore ishte rritur dukshëm, krahasuar me ato shpenzime, sikur do të kishte një marrëveshje për zgjatjen e afatit në fillimin dhe deri ne mesin e vitit 2016.

Me 22 shkurt 2018, letër dërguar nga “Bechtel & Enka”, duke paraqitur koston prej €63 milion për zgjatjen e afatit me shpjegimet dhe mbështetjen përcjellëse. Me 5 prill 2018, “Bechtel & Enka” i prezanton Komitetit Ndërministror, koston reale prej € 63 milion. Nga 5 deri 18 prill 2018, ministria kishte diskutuar koston me “Bechtel & Enka” dhe janë pajtur për zvogëlimin e vlerës së marrëveshjes së përgjithshme prej € 53.1 milion. Me 19 prill 2018, Komiteti Ndërministror kishte paraqitur një rekomandim në zyrën e kryeministrit për qeverinë që të aprovojë zgjatjen e afatit për koston e €53.1 milion. Me 29 maj 2018, në mbledhjen e qeverisë vendimi për të miratuar zgjatjen e afatit me kosto prej €53.1 është shtyer deri në mbledhjen e ardhshme.

Me 5 qershor 2018, një takim pasues i Komitetit Ndërministror ishte mbajtur, në të cilin Komiteti Ndërministror, ka aprovuar zgjatjen e afatit me kosto prej €53.1 milion dhe kishte paraqitur vendimin tek Zyra e Kryeministrit, për miratim nga qeveria. Me 5 qershor 2018, qeveria miratoi zgjatjen e afatit me kosto prej €53.1 milion. Si përfundim, kjo kosto shtesë është për prolongimin e pagesave (stafi i projektit, paisjet, puna manuale indirekte, dhe shpenzimet rrjedhëse), shkallëzimi, shpenzimet e përgjithshme të korporatës dhe shpenzimet e ndërprerjes të ndërlidhura me jo-efikasitetin si rezultat i kufizimeve buxhetore nder vite të qeverisë për projektin.

Pra janë rritur shpenzimet e zgjatjes së afatit nga 14.7 milionë, në 53.1 milionë euro. Kosotoja e diskutuar në vitin 2016, prej 14.7 milionë llogaritet për shpenzime shtesë të “Bechtel & Enka”si rezultat i zgjatjes së afatit deri më 31 dhjetor 2018, në kohë prej 11.3 muaj. Kjo kosto ishte dakorduar pasi është supozuar se marrëveshja do të nënshkruhej në vitin 2016, për të konfirmuar zgjatjen e kohës duke lejuar “Bechtel & Enka”-n të ndryshojë vëllimin e punimeve. 14.7 milionë euro përfaqësojnë një ndikim të kostos për “Bechtel & Enka”-n, në bazë të ngjarjeve deri në mes të vitit 2016. Të gjitha ngjarjet, që nga përfshirja e nënshkrimit të vonuar të një marrëveshje dhe mungesave të mëvonshme të alokimit të buxhetit, kanë rezultuar me kostot shtesë për “Bechtel & Enka”-n. “Bechtel & Enka” ka informuar në vitin 2016, se 14.7 milionë euro, nuk përfaqësojnë vlerën reale të zgjatjes së afatit deri më 31 dhjetor 2018, letra e “Bechtel & Enka”-s, me datën 28 shtator 2016. Mes shtatorit të vitit 2014 dhe shtatorit 2017, asnjë marrëveshje, nuk u nënshkrua, as nuk u inkorporua në kontratë nga qeveria e kaluar, kështuqë “Bechtel & Enka”, nuk ka mundur të ndryshojë vëllimin e punimeve për të rritur shfrytëzimin efikas të burimeve njerëzore dhe të pajisjeve. Vonesa prej 12 muajsh në nënshkrimin e një marrëveshje ose në sigurimin e buxhetit të kërkuar ndërmjet vendimit të Komitetit Ndërministror të mëparshëm të shtatorit 2016, për 14.7 milionë euro dhe datës 27 shtator 2017, kur u nënshkrua marrëveshja për zgjatjen e kohës, kanë ndikuar aftësinë e “Bechtel & Enka”-s për të rregulluar vëllimin e punimeve, duke rezultuar me një rritje të kostos së zgjatjes së kohës.

Shuma pre 53.1 milionë eurosh, është pjesë e një marrëveshje të përgjithëshme, e cila mbronë qeverinë nga çdo kosto, ose kërkesë që lidhet me të gjitha mungesat e alokimit të buxhetit për vitet 2014-2018. Pse ministria miratoi një marrëveshje gjithëpërfshirëse të kontratës? Qasja e marrëveshjes së përgjithëshme i shërben më së miri qeverisë dhe popullit të Kosovës, duke pasur parasysh mangësitë buxhetore në vitin 2016, 2017 dhe 2018. Përveç mangësive buxhetore të njohura në mesin e vitit 2016, marrëveshja konfirmon se “Bechtel & Enka”, nuk do të kërkojë ksoto shtesë të lidhura me mangësitë buxhetore.

Në vitin 2016, “Bechtel & Enka”ka kërkuar 269.6 milionë euro, por qeveria ka siguruar vetëm 156 milionë euro. Në vitin 2017, “Bechtel & Enka” ka kërkuar 240 milionë, por qeveria ka siguruar vetëm 179 milionë. Në vitin 2018, “Bechtel & Enka” ka kërkuar 157 milionë, por deri më sot vetëm 66.9 milionë janë alokuar. Kosotoja prej 53.1 milionë euro është shyqrtuar dhe vlerësuar nga ministria për të eleminuar rrezikun e kërkesave të ardhëshme nga “Bechtel & Enka” si pasojë e mungesavë të njohura të alokimit të buxhetit. Komiteti Drejtues Ndërministror, është organi kompetent për të vlerësuar marrëveshjen dhe për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbutjen e rreziqeve kontraktuale dhe gjithashtu të lejojë që pagesat të bëhen në kohën e duhur, sipas kushteve të kontratës. Qeveria është e vetëdijshme për kufizimet buxhetore, prandaj ministria dhe qeveria, i kanë informatat e duhura për të vlerësuar kërkesën e “Bechtel & Enka”-s dhe rreziqet kontraktuale të lidhura me mangësitë buxhetore nëpërmjet ndërprerjes së punës dhe ndikimin e një procesi të arbitrazhit për investimet e huaja. Pra me një fjalë ne kur erdhëm në ketë kabinet, në ketë ministri, ishim përballë 63 milionëve, (i cili falë anëtarëve të sotëm të komitetit drejtues zbriti në 53.1 milionë) dhe Arbitrazhit ku do të rrëzikohej seriozisht buxheti i shtetit, merrne shembullin e Rumanisë dhe të Kroacisë me “Bechtel & Enka”-n dhe aty e keni përgjigjën se me kënd kemi të bëjmë.

Këtu kemi të bëjmë më keqmenaxhim të buxhetit – shpenzimi i mjeteve të dedikuara per autostradën R6, “Arbën Xhaferi”, janë ri-alokuar në 260 projekte komunale dhe rurale nga ish-qeveria, e gjithë kjo me tendencen për të fituar elektoralisht, gjithmonë në kurriz të buxhetit të shtetit, duke e rrezikuar atë në cdo kohë, sepse shihet që prioritet e kanë patur veten, e jo projektin R6 dhe shtetin.

Papërgjegjshmëri për veprimet e veta, ish ministri nuk ka qenë i gatshëm të merret me këtë çështje të shkaktuar me fajin e vet që nga fundviti 2014. Faktet tregojnë se planifikimi buxhetor për R6 ka qenë 70 milion në 2014, 220 miion në 2015, 205 milion në 2016, 104 milion e 900 mijë euro në 2017 dhe muajin e fundit, sipas kontratës 42 muajshe ishin alokuar 9 milion. Shifrat tregojnë se në vitin 2014 janë alokuar 85 milion edhe pse është dashur vetëm 70 milion, pra kjo është shembull se si planifikohet shpenzimi i buxhetit me përgjegjësi.

Papërgjegjësia ka ndodhur në vitin 2015, kur janë ndarë 90 milion euro, e që në fakt do të duhej të paguheshin 220 milion euro, por mjetet e njëjta janë ridestinuar për 30 projekte të reja.Në vitin 2016 janë alokuar 108 milion, e në fakt do të duhej të alokoheshin 205 milion, pra borgji i grumbulluar ndaj “Bechtel & Enka”-s , ishte 227 milion euro, në mesin e kësaj rrëmuje buxhetore, ish ministri ka financuar 111 projekte të reja, të cila kapin shifrën prej rreth 82 milion euro.

Në vitin 2017 janë alokuar 130 milion euro, e borgji për këtë projekt kishte arritur në 201 milion euro, përkundër kësaj, ish ministri kishte vendosur të financojë edhe 127 projekte të reja, më një shumë të përgjithshme prej rreth 52 milion e 504 mijë euro. Nga kjo shihet se ka ekzistuar një papërgjegjëshmëri në kontinuitet nga viti 2015, deri në vitin 2017 ,gjatë qeverisjes së ish ministrit Zharku.

Për këto arsye kur kam marrë detyrën, kam gjetur një projekt me një datë të konfirmuar të përfundimit katër muaj para skadimit të afatit sipas kontratës. Pra me vetëm katër muaj në dispozicion, e më një borgj të akumuluar prej mbi 200 milion euro, me një njoftim zyrtar për kërkesë (Notice of Claim), sipas kontratës, siç e përmenda, në të gjitha korrespondencat që i lexova më herët, e me buxhet të kufizuar për të përmbushur këto obligime, sepse në arkën e ministrisë ishin vetëm 180 milion euro për tërë vitin dhe për të gjitha kategoritë e shpenzimeve dhe i shpenzuar në tri të katërtat e tij.

Prandaj, veprimi j​onë i parë, ka qenë të bëjmë një vendim dhe të vendosim një datë se kur do të përfundojë ky projekt dhe kur do të jetë i hapur për publikun. Menjëherë pas kësaj kemi filluar dialogun tonë me “Bechtel & Enka”-n për të shmangur një kërkesë – padi për arbitrazh dhe për të gjetur një zgjidhje”, tha ministri Lekaj në fund të kësaj konference./infosot/