Lajçak thotë se shoqëritë e Kosovës dhe Serbisë s’e duan normalizimin: Sa herë Kurti e Vuçiq bëjnë ndonjë hap, ka kritika

E publikuar: 20/04/2024 11:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Emisari i BE’së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, përgjegjës për bisedimet Kosovë-Serbi, ka thënë se shoqëritë në Kosovë e Serbi s’bëjnë presion për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi. Për më tepër, sipas tij, sa herë që Kurti e Vuçiq bëjnë ndonjë hap, ka kritika në vendet respektive.

I pyetur nga N1 Bosnia se cili ka qenë problemi më i madh me të cilin është përballur në negociata, Lajçak ka thënë se “problemi kryesor është se procesi duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve”.

“Së fundmi kam pasur një takim me përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe mediave nga rajoni. I pyeta se kush e do normalizimin? Dhe përgjigja ishte ju, Bashkimi Evropian. Pra, problemi është se ky është një proces që është bërë i mundur nga BE-ja, por ne nuk e ndjejmë përpjekjen, presionin për normalizim nga ana e shoqërive, as në Serbi e as në Kosovë. Pra, ne kemi një marrëveshje që nuk e kemi pasur kurrë më parë, Marrëveshja e Ohrit, e cila është një rrugë e qartë. Por ajo që kam dëshmuar gjithashtu është se sa herë që dy liderë, presidenti Vuçiq, kryeministri Kurti, bien dakord për disa hapa drejt normalizimit, ajo përballet me kritika në shoqëritë e tyre” ka thënë Lajçak.

“Pra, është e qartë se elementi më i rëndësishëm për të përfunduar këtë proces është të ndihmojmë shoqëritë të kuptojnë se pa normalizimin e marrëdhënieve të tyre nuk ka të ardhme evropiane për to”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk ka qenë kurrë më i gatshëm për ta udhëhequr këtë proces apo për ta lehtësuar këtë proces.

“Megjithatë, më duhet të them se katër vitet e mandatit tim u ndanë realisht në dy pjesë. Njëra ishte pozitive kur po punonim për normalizimin, por tjetra, që ishte më e madhe, fatkeqësisht po përballej me krizën në terren, duke zbutur ndikimin, duke u përpjekur të parandalonte përshkallëzimin. Dhe sigurisht, nuk mund t’i kesh të dyja në të njëjtën kohë. Kështu që shumë shpesh ne detyroheshim të ndalonim procesin e normalizimit sepse duhej të përballeshim me përshkallëzimin në terren”.

Emisari ka theksuar se tani çështja më e madhe është se si të “të zbutet ndikimi i vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës në transaksionet me para të gatshme”.