Komiteti i Torturës i kërkon Serbisë ta ndalojë dhunën policore

E publikuar: 21/06/2018 09:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komiteti për Parandalimin e Torturës i Këshillit të Europës i ka bërë thirrje Serbisë të mos lejojë policinë e saj të përdorë dhunë për të detyruar të dyshuarit të rrëfejnë krimet.

Ky Komitet i kërkoi Serbisë të hetojë dhe të ndalojë “praktikën e pranuar” të policisë për përdorimin e dhunës për t’i detyruar të dyshuarit të rrëfehen dhe për t’i ndëshkuar ata.

“Delegacioni i CPT mori një numër të konsiderueshëm të akuzash për keqtrajtim fizik të personave të ndaluar nga oficerët e policisë,” tha ai në një raport pas një vizite ad hoc në 16 rajone policie dhe burgje në Serbi në maj dhe qershor 2017.

Raporti thotë se praktikat rutinë përfshijnë shuplaka, grushte, goditje me shkelma dhe goditje me shkopinj gome ose shkopinj bejsbolli, si edhe shkarkime elektrike nga zyrtarët, sidomos nga inspektorët e krimit, në zona më të mëdha urbane, si Beogradi, Nisi dhe Novi Sadi.

Qëllimi i synuar është që të detyrojë të dyshuarit të pranojnë krime ose t’i ndëshkojë ata, tha CPT.

“Autoritetet kompetente duhet të promovojnë një qasje krejtësisht të ndryshme të metodave të hetimit policor, e cila nuk bazohet në provën e rrëfimit, por në sigurimin e informacioneve të sakta dhe të besueshme për të zbuluar të vërtetën rreth çështjes nën hetim,” tha raporti.

Për të hetuar keqtrajtimin, autoritetet serbe duhet që të ngrenë një organ të pavarur policor për ankesat, sugjeroi CPT.

Në një afat më të shkurtër, ajo duhet të përforcojë Sektorin e Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Brendshme dhe t’i japë fund praktikës së zyrtarëve të lartë nga e njëjta njësi që hetojnë vartësit e tyre.

CPT gjithashtu vuri në dukje mungesën e hetimeve të plota nga prokurorët, procedura tepër të gjata dhe dënime tepër të lehta.

Ministritë e Brendshme dhe të Drejtësisë të Serbisë i dhanë Komitetit një përgjigje me shkrim në të cilën diskutuan trajtimin e dhunës policore, por kryesisht në terma të paqarta.

Megjithatë, Ministria e Brendshme u zotua të rrisë numrin e stafit në Sektorin e Kontrollit të Brendshëm.