Koalicion i gjerë i partive në mbështetje të referendumit

E publikuar: 30/08/2018 11:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rreth 30 parti politike kanë formuar koalicionin për mbështetje të referendumit që do të mbahet më 30 shtator.

Ky koalicion udhëhiqet nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM) e kryeministrit Zoran Zaev, ndërsa bën pjesë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), Lëvizja Besa dhe të gjitha partitë tjera të koalicionit qeveritar, por edhe parti tjetra jashtëparlamentare. Koalicioni ka vendosur që përmes fushatës, tribunave dhe aktiviteteve tjera, të nxisë qytetarët që të dalin dhe të votojnë “për” në referendumin e ardhshëm për Marrëveshjen për emrin me Greqinë.

“Marrëveshja hap dyert e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Partitë konsiderojnë se çdo qytetar i Republikës së Maqedonisë me të drejtë vote, duhet të marrë përgjegjësinë, të dalë dhe të votojë ‘për’ në referendumin e ardhshëm”, thuhet në komunikatën e publikuar pas takimit të mbajtur të mërkurën në mbrëmje.

Suksesi i referendumit do të thotë ndërtimi i një Maqedonie evropiane. Jam i bindur se shumica e qytetarëve që ne përfaqësojmë dhe që na kanë besuar përgjegjësinë për të udhëhequr vendin, do të përmbushin detyrën e tyre qytetare, do të dalin në referendum dhe do të votojnë për Maqedoninë evropiane”, ka deklaruar lideri i LSDM-së, njëherësh kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Në takim nuk ka marr pjesë Aleanca për Shqiptarët, që është parti opozitare, por kjo parti më herët ka bërë të ditur se mbështet referendumin, por në fazën e ndryshimeve kushtetuese që pasojnë pas referendumit, do të paraqesë disa kërkesa për rregullimin e statusit të gjuhës shqipe në Kushtetutë si dhe për bartjen e sovranitetit të shtetit te të gjitha bashkësitë etnike.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja, si partia më e madhe e opozitës maqedonase, ende nuk ka dalë me qëndrimin final, përveç që ka refuzuar mjetet e ndara nga Kuvendi për zhvillimin e fushatës për referendumin.

Ndërkohë, referendumin po e mbështetë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyrtarë të lartë të BE-së do të jetë pjesë e fushatës dhe tribunave të ndryshme që do të organizohen për sensibilizimin e qytetarët për të votuar në mbështetje të referendumit.