Orangutangu habit shkencëtarët, kuron plagën e tij me bimë medicinale

E publikuar: 05/05/2024 00:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkencëtarët në ishullin indonezian të Sumatrës, vunë re një orangutang duke përdorur një bimë me veti shëruese për të trajtuar një plagë në fytyrën e tij.

Orangutangu mashkull Sumatran, i quajtur Rakus fillimisht u pa duke përtypur gjethet e një bime ngjitëse të njohur si Akar Kuning.

Ai aplikoi më pas përzierjen e lëngshme që u krijua, në një plagë në faqen e djathtë për më shumë se 30 minuta, derisa plaga u mbulua plotësisht.

Shkencëtarët thanë se ai në mënyrë selektive griste gjethet dhe i përtypte ato, përpara se të aplikonte përzierjen pikërisht në zonën e lënduar.

Është hera e parë që një kafshë e egër është vërejtur duke përdorur një bimë me veti të njohura medicinale për të trajtuar plagët.

Në ditët në vijim ai nuk kishte asnjë shenjë infeksioni, dhe në më pak se pesë ditë plaga u mbyll përpara se të shërohej plotësisht brenda një muaji.