Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se deklarata e saj lidhur me protestat në Shqipëri, e dhënë sot pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, u shtrembërua.
Kështu, ajo publikoi deklaratën e plotë të saj në konferencën për media, duke përsëritur se “zhvillimet atje janë shqetësuese për të gjithë ne” dhe se situata “kërkon trajtim serioz”.
“Po shoh që disa media e kanë shtrembëruar përgjigjen time për protestat në Shqipëri. Më poshtë gjeni videon e përgjigjes time të plotë. Siç e kam thënë, zhvillimet atje janë shqetësuese për të gjithë ne. Ajo që po shohim kërkon trajtim serioz. Kërkesat e studentëve dhe të protestuesve duhet të dëgjohen nga institucionet, ndërsa dhuna duhet të ndalet nga të dyja palët”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Lidhur me deklaratën për nxitjen e protestave, Haxhiu tha se ka folur për “mënyrën si duhet t’u qasemi protestave në përgjithësi” atyre.
“Kur kam thënë se arroganca vetëm i nxit protestat, kam folur për mënyrën si duhet t’u qasemi protestave në përgjithësi, me seriozitet dhe me gatishmëri për të dëgjuar. Ky ishte një qëndrim parimor, jo gjykim për shkaqet e protestave apo akuzë ndaj ndonjë institucioni në Shqipëri”, shkroi ajo.
Haxhiu tha se Shqipëria është shtëpi për të, si për çdo shqiptar të Kosovës.
“Si shqiptare e Kosovës, për të cilën Shqipëria është shtëpi, u kërkoj të gjitha palëve që me maturi të gjejnë rrugën përpara. Besoj se përmes dialogut, ndasitë mund të tejkalohen dhe qetësia të rikthehet sa më shpejt”, shkroi ajo.





























