Kreu i ekipit negociator për integrim në BE, Jeton Zulfaj, ka bërë një përmbledhje të vizitës së tij në Bruksel dhe takimeve që ka zhvilluar.
Ai ka theksuar takimin që ka pasur me Komisioneren për Zgjerim , Marta Kos, dhe disa euroeputetë të Parlamentit Evropian.
Zulfaj thotë se në të gjitha takimet ka theksuar se Kosova ka bërë progres dhe se duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat. Sipas tij, progresi i Kosovës nuk reflektohet me pozitën që aktualtisht ka vendi brenda institucioneve të BE-së.
Ai thotë se në BE s’ka unitet dhe nëse do të vlerësoheshin meritat, Kosova do të ishte lidere sa i përket integrimit.
“Një javë intenzive, që nisi në Luksemburg, ku zyrtarizuam anëtarësimin e Kosovës në Qendrën Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike, dhe vazhdoi në Bruksel, me tri ditë takimesh dhe diskutimesh produktive për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, takova Komisioneren për Zgjerim, znj. Marta Kos, përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane dhe eurodeputetë.
Në të gjitha takimet, mesazhi im ishte i qartë: Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm në vitet e fundit. Është koha që ky progres të përkthehet në hapa konkretë drejt anëtarësimit, duke filluar me marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”, ka shkruar ai.
































