“Sot, mbi të gjitha, dua t’i falënderoj veteranët e futbollit prezentë dhe ata që nuk i kanë mbijetuar kohës, të cilët kanë bërë shumë për futbollin gjilanas. Gjatë kohës së okupimit kemi organizuar ndeshje në kushte tejet të rënda dhe ai mundi mua më ka obliguar që në këtë fazë ta marrë këtë hap për rindërtimin e stadiumit modern. Ky stadium, përveç që i plotëson nevojat e klubeve të futbollit, i plotëson nevojat edhe të grupmoshave të reprezentacionit të Kosovës. Natyrisht, i plotëson të gjitha kushtet tjera teknike që UEFA dhe FIFA i kërkojnë”, citohet të ketë thënë Haziri.
“Jam i lumtur që në vigjilje të ndeshjes Kosovë-Islandë po e prezantojmë këtë projekt”, ka shtuar Haziri.
I pari i gjilanasve ka informuar se mjetet për këtë stadium, i cili kushton mbi 3 milionë euro, janë të siguruara, ndërkaq ka shtuar se qytetarët dhe sportdashësit kanë një javë kohë për t’i dhënë propozimet dhe vërejtjet e tyre, në debatin publik që nga sot.
Stadiumi i qytetit, sipas këtij projekti, është kategoria e katërt e nivelit më të lartë sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s, i cili i mundëson zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Projekti do të realizohet në tri faza, ndërkaq do të finalizohet në vitin 2020 me bashkëfinancim mes Komunës së Gjilanit dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Projektin e ka punuar kompania “Unikosproject”, me kosto prej 38 mijë euro.