
Ermal Panduri, udhëheqës i emisionit Debat Plus në RTV Dukagjini, ka ftuar publikisht ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që të përballet në Debat Plus lidhur me garancionin bankar të lëshuar nga KOSTT për një kompani private.
Ftesa është bërë pasi që ajo disa herë është përpjekur të argumentojë përkundër fakteve të publikuara në Debat Plus.
“Në reagimin e kushedi sa herë të ministres Artane Rizvanolli për emisionin Debat Plus, ajo vazhdon të përsëris të njëjtat fraza arsyetuese pa kuptim, derisa në anën tjetër mundohet ta bindë ndokë, këdo, se emisionin s’e ka shikuar më parë”.
Ministre, dëgjo, se ka mundësi realisht ti nuk e di çfarë po ndodhë dhe dikush po të mashtron, edhe pse këtë opsion e dyshoj shumë.
“Si fillim, nëse Ministria e ka shpallur thirrjen, apo tenderin, atëherë pse duhet KOSTT-i, që është institucion që s’ka lidhje me ministrinë të ofrojë grancion për kompaninë që ka fituar një tender që KOSTT-i s’e ka shpallur?”, ka thënë Panduri.
“Qeveria nuk ka lidhje me KOSTT, sepse KOSTT-i është institucion me pronar Kuvendin e Kosovës. Nëse eventualisht do të duhej të futej dikush me garancion për KOSTT-in, e bën pronari, pra Kuvendi. Kuvendi e udhëzon KOSTT-in ta bëjë ose jo. Dhe KOSTT-i pa miratim të Kuvendit nuk guxon të bëjë asgjë, aq më pak udhëheqësi i KOSTT-it, sepse ai është aty vetëm një person që paguhet për të udhëhequr një aset të Kuvendit”.
Panduri tutje ka thënë se nuk kanë qenë disa kompani që kanë kërkuar garancion bankar, por ka qenë vetëm një kompani dhe sipas tij ofrimi i garancisë ka qenë gabim.
“Ju, pra shteti, i keni garantuar kompanisë private, pronën për investim, licencimin, tregun, çmimin e garantuar, pse duhej edhe një garancion? Po s’ia bleu dot KOSTT energjinë që e prodhon, aq më mirë për kompaninë fituese, sepse e shet tjetër kah me çmim edhe më të volitshëm. Pse pra i ofroni garancion?”, ka pyetur ai.
“Qe pse, sepse ai garancioni bankar ia mundësonte kompanisë private të shkonte në bankë e të kërkonte kredi për investim, duke i ofruar bankës si garanci, pikërisht garancionin që ia dhatë ju. Ministre ju ndër të tjera theksuat se atë garancion e siguruat për të tërhequr investitorë, a na informon të lutem, sa investitorë i tërhoqët? Apo së paku, sa kompani të reja aplikuan në ankand kur ju e shtuat, garancionin bankar si pikë shtesë?”, ka pyetur Panduri.
Ai ka thënë se kërkon transparencë për këtë çështje dhe kërkesa është e hapur nëse Rizvanolli beson ndryshe nga ajo çfarë është raportuar në Debat Plus.
“Hajde në Debat plus, hajde edhe provona…” ka thënë Panduri ndër të tjera.
Panduri në fund e ka pyetur ministren Rizvanolli publikisht se nëse ridëshmohet ajo çfarë është raportuar në Debat Plus a vetëdorëzohesh në Prokurori?”.