Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i cili po qëndron në Antalya, ku po mbahet forumi diplomatik, ka njoftuar se ka takuar ministrin e Jashtëm serb, Marko Gjuriq.
Hoxha, përmes postimit të tij, ka thënë se, ai ka vlerësuar gatishmërinë e Serbisë e cila i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shqipërisë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc.
‘’Po ashtu, pranuam se kemi qëndrime thelbësisht të ndryshme lidhur me Republikën e Kosovës. Ritheksova qëndrimin e qartë dhe të qëndrueshëm të Shqipërisë mbi rëndësinë kyçe dhe mbështetjen tonë të plotë për dialogun Kosovë–Serbi të lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes së ndërsjellë, një rezultat që do të kontribuonte në paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.”
Njoftimi:
Sot, u takova me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Đurić, në kuadër të #ADF2026.
Diskutimi ynë u përqendrua në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit, me qëllim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike dhe tregtare, duke njohur rëndësinë e tyre në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe stabilitetit rajonal. Në këtë drejtim, vlerësova gatishmërinë e Serbisë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës sonë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc.
Theksova domosdoshmërinë për të ruajtur, zhvilluar dhe forcuar bashkëpunimin rajonal si rruga më e besueshme drejt një të ardhmeje të përbashkët, duke shmangur retorikën e pajustifikuar dhe të panevojshme. Shqipëria ka zgjedhur të investojë në qartësinë e qëndrimeve të saj dhe në qëndrueshmërinë e politikës së jashtme, si dhe në kontaktet ndërmjet njerëzve dhe në kultivimin e një brezi të ri me një mendësi të fortë evropiane.
Po ashtu, pranuam se kemi qëndrime thelbësisht të ndryshme lidhur me Republikën e Kosovës. Ritheksova qëndrimin e qartë dhe të qëndrueshëm të Shqipërisë mbi rëndësinë kyçe dhe mbështetjen tonë të plotë për dialogun Kosovë–Serbi të lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes së ndërsjellë, një rezultat që do të kontribuonte në paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.

















