Franca me 5 yje, shuan ëndrrën e Islandës

E publikuar: 04/07/2016 02:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Franca shpartallon Islandën dhe tremb Gjermaninë. Gjelat e Didier Deschamps fituan me shifrat 5-2 në cerekfinalen e fundit të këtij europiani ndaj përfaqësueses ishullore dhe tashmë do të masin forcat me Gjermaninë në gjysmëfinale. Të Enjten në Velodrome të Marseilles do të luhet padiskutim finalja e parakohshme e këtij Europiani mes Francës dhe kombëtares së pancerave, takim në të cilin është e vështirë të gjesh një skuadër favorite për fitoren finale. Përfundoi në cerekfinale ndaj vendit organizator të Euro 2016, ëndrra e Islandës për të dhuruar një tjetër surprizë të madhe në këtë Europian pas elimiminit që skuadra e drejtuar nga dyshja Laberback-Hallgrimson i bëri Anglisë. Në Stade De France në St Denis aty ku do të luhet edhe finalja e madhe e këtij kompeticioni, rezultoi gjithcka e thjeshtë për Francën që e nisi ndeshjen me treshen Payet-Griezmann-Giroud përpara. Në mbrojtje vendin e të skualifikuarit Adil Rami e merrte mbrojtësi më i ri i Barcelonës Umtitti, ndërsa Sissoko zëvendësonte Kante-në. Asnjë ndryshim në 11-shen titullare të Islandës krahasuar me takimin ndaj Anglisë.

12 minuta i mjaftuan Francës për të nisur festivalin e golave. Ishte Oliver Giroud ai që zhbllokoi shifrat. Sulmuesi i Arsenalit përfitoi nga një pasim perfekt i Matuidit dhe me një goditje potente mposhti portierin Halldorsson. 7 minuta më pas Pogba dyfishoi shifrat. Krosim i Griezmann nga këndi me mesfushorin e Juventusit që goditi saktë me kokë duke realizuar golin e tij të parë në Europian. Por francezët nuk u ndalën me kaq dhe përpara pushimit shënuan edhe dy herë të tjera. Fillimisht ishte Payet që me një goditje të bukur nga limitet e zonës e coi në 3 avantazhin e golave ndërsa disa sekonda më pas Griezmann me një parabol spektakolare shënoi edhe të 4-tin për Gjelat. Islanda kishte realizuar të paktën 1 gol në të gjitha ndeshjet që kishte zhvilluar në këtë Europian, kështu që edhe nga kjo sfidë nuk mund të dilte pa lënë qoftë edhe një shenjë. Sigthorsson në të 56-tën ishte ai që realizoi golin e nderit për miqtë, por vetëm 3 minuta më pas Giroud gjeti edhe rrjetën e dytë personale duke vendosur në kasafortë kualifikimin e Francës. 6 minuta përpara fundit kishte vend edhe për golin e Bjarnarsson që fiksoi shifrat përfundimtare të këtij takimi në 5-2. Gjermania është e paralajmëruar, pasi organizatorët e Euro 2016, janë aty të gatshëm për të fituar një tjetër kampionat Europian në shtëpinë e tyre pas atij të vitit 1984.