A është e gatshme Vetëvendosje të heqë dorë nga posti i kryeministrit?

E publikuar: 01/07/2017 00:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, nuk ka qenë i prerë në përgjigjen nëse kjo parti, është e gatshme që të heqë dorë nga posti i kryeministrit në një koalicion të mundshëm paszgjedhor me LAA-në, nëse PAN-i dështon të bëjë qeverinë.

Ai ka thënë se “për lëvizjen Vetëvendosje thelbësore gjithnjë ka qenë marrëveshja për programin”.

“Por votat për kandidatët për kryeministër kanë treguar se kë e do qytetari kryeministër. Albin Kurti është më i votuari në Kosovë”, ka thënë Topalli.

Kur është pyetur për idenë nëse një kandidat konsensual, ku as Kurti e as Hoti të mos ishin kryeministër, ai ka thënë të mos e ketë dëgjuar një ide të tillë.

“Do të ishte e papranueshme që këtë vullnet të qytetarëve ta shkelim për hir të ndonjë kompromisi. Zoti Kurti është kandidati më i votuar për kryeministër”, ka thënë Topalli.