Dy vjet burg për sulmuesit e Valon Sylës – Aktgjykimi i plotë

E publikuar: 07/12/2023 10:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani, për sulmin fizik kundër gazetarit Valon Syla, duke i dënuar me nga dy vite burgim efektiv (secilin veç e veç).
Aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani.

Gjykatësja Namani tha se tre të akuzuarit Lum Dërvishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani dënohen me nga dy vite burgim (secili veç e veç), pasi janë fajtorë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Të njëjtëve, në dënimin me burgim do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak prej 14 prill deri më 7 dhjetor 2023.

Të akuzuarve iu ndalohet masa e arrestit shtëpiak. Ndërsa, refuzohet kërkesa pasurore-juridike e palës së dëmtuar, pasi që gjykata vlerëson se nga të dhënat e grumbulluara në procedurë penale, nuk ka prova të mjaftueshme për realizimin e kësaj të drejte.

Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarve, pasi në seancën e kaluar kishin deklaruar se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në shpallje të aktgjykimit.

Aktakuza ndaj Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ishte ngritur më 4 gusht 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me arsyetimin se më 11 prill 2023, rreth orës 23:00, të njëjtit, të ndikuar nga ideologjitë ekstreme radikale të islamit, kishin lënduar lehtë të dëmtuarin gazetarin Valon Syla, pasi që ky i fundit paraprakisht kishte shkruar në profilin e tij në “Facebook” për profetin Muhamed dhe profetin Isa.

Prandaj, me këto veprime Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ngarkoheshin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, vepër kjo e dënueshme nga gjashtë muaj deri në tri vite burgim sipas cilësimit juridik të bërë në aktakuzë. Betimi për Drejtësi.


Aktgjykimi i plotë:

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër tre tëakuzuarve L.D, K.H dhe O.H se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale Lëndim i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 lidhur me paragrafin l dhe nenin 31 të Kodit Penalm të Republikës së Kosovës.

Të akuzuarit L.D, K.H dhe O.H janë shpallur fajtor dhe janë dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) vite për secilin veç e veç, se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale Lëndim i lehtë trupor, të akuzuarve në dënimin e shqiptuar me burgim iu llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, prej datës 14 prill deri më datë 07 dhjetor 2023.

Të akuzuarve iu është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak, ndërsa obligohen që secili veç e veç të paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës, në emër të paushallit gjyqësorë të paguajnë shumën prej dyqind (200) €, ndërsa shumën prej njëqind (100) € ta paguajnë për Fondin për Kompensimin të Viktimave të Krimit.

Gjykata ka refuzuar kërkesën pasurore juridike të të dëmtuarit V.S, pasi që gjykata nga të dhënat e grumbulluara në procedurë penale ka vlerësuar se nuk ka prova të mjaftueshme për vendosje të plotë apo të pjesëshme të kërkesës pasurore juridike, andaj i dëmtuari V.S nga arsyet e lartëcekura për realizimin e kërkesës pasurore – juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Të akuzuarit L.D, K.H dhe O.H janë akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë sepse me datë 11.04.2023, rreth orës 23:00, në Prishtinë të motivuar me ideologji ekstreme radikale Islame përkatësisht të besimit fetarë, kishin lënduar lehtë të dëmtuarin V.S, për shkak të një publikimi në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” për profetin Muhamed dhe profetin Isa, paraprakisht e përcjellin të dëmtuarin nga TV “T7” dhe që të tre e kishin sulmuar fizikisht me grushta në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.