Banorët e Sopisë:Kryerësit e krimeve të luftës të japin llogari para ligjit

E publikuar: 09/09/2017 07:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qetësia në qendër të fshatit Sopijë të Suharekës prishet nga zhurma e automjeteve që qarkullojnë rrallë në këtë lokalitet.

Për pak minuta dëgjohet edhe zëri i një grupi të fëmijëve që me top futbolli ia mësyjnë fushës së lojës, shkruan sot Koha Ditore. Ndërkohë pjesa dërrmuese e banorëve vazhdojnë punët e përditshme, kryesisht të heshtur.

Në saje të punës së tyre dhe mbështetjes nga të afërmit që punojnë jashtë vendit kanë arritur që të rindërtojnë pronat dhe jetesën e tyre.

Megjithëkëtë pjesë të jetës e kanë dhimbjen për familjarët që janë vrarë në vitin 1999 nga forcat serbe. Për këtë arsye banorët e Sopisë kërkojnë drejtësi, përkatësisht dënimin e atyre që kanë kryer krime lufte në këtë anë.

Ramadan Salltekaj ka treguar se në pranverën e vitit 1999 forcat serbe ia kanë vrarë vëllanë 15-vjeçar në oborr të shtëpisë, derisa nënën dhe babanë ia kanë plagosur në korridorin e shtëpisë, ku si pasojë e plagëve të marra në Prizren kishte ndërruar jetë edhe nëna gjatë ikjes me kolonën e njerëzve për në Shqipëri.