Abdixhiku: Pushteti dhe disa analistë të tij ushqejnë bindjen se Kosova duhet të ecë pa aleatë

E publikuar: 09/11/2022 11:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Lumir Abdixhiku FB

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka është synim i Serbisë që të krijojë një bindje në Kosovë që vendi duhet të ecë përpara pa aleatë.

“Investimi më i madh i Serbisë në Kosovë ka qenë krijimi i bindjes se vendi ynë duhet të ecë pa aleatë; në veçanti pa koordinim me ShBA-të. Ky investim ka prekur figura me ndikim në pushtet siç ka prekur dhe analistë të pushtetit që në vazhdimësi ushqejnë këtë bindje”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Abdixhiku thotë se duhet të refuzohet një mendësi e tillë, derisa i quajti “grup mjeranësh” ata që, sipas tij, e sjellin Kosovën në një pozicion të tillë.

“Kush do ta kishte menduar një fitore të tillë të Serbisë?! As në ëndrrat më të mira të tyre, nuk është menduar që Kosova do të normalizojë distancimin nga aleatët tanë kaq lehtë e kaq shpejtë. As në ëndrrat më të mira të Serbisë nuk është pritur ky përfundim i Kosovës me shtetet që i kanë dhënë dhe lirinë dhe demokracinë dhe pavarësinë. Koha për refuzim dhe përballje të kësaj influence në vendimmarrje shtetërore e në diskurs publik. Nuk guxojmë një grup mjeranësh të na sjellin në këtë pozitë”.

Kreu i LDK-së e tha të njëjtën sikurse kur doli nga takimi me kryeministrin Kurti që pati dje në Kryeministri bashkë me dy opozitarët e tjerë, Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj.

“Ta lësh Kosovën pa aleatë, është tradhti. Kërkesa për ecje me ShBA është akt patriotik”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai dje pas takimit tha se LDK e mbështet Qeverinë kur e ka edhe mbështetjen e aleatëve. Takimi u thirr nga Kurti pas ngjarjeve në veri të vendit.