Policia e Kosovës respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës njofton se sot në fshatin Soqanicë të Leposaviçit ka arrestuar të dyshuarin mashkull shtetas kosovar të nacionalitetit serb, nën dyshimin për kryerje të veprës Krime Lufte Kundër Popullatës Civile.
Siç njofton policia “i dyshuari i lartcekur bazuar në hetimet e zhvilluara dyshohet se në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it të Serbisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, i sistemuar në Stacionin Policor të Skenderajt, i uniformuar dhe i armatosur, në mars të vitit 1999 në Skenderaj në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, të organizuar si grup, kanë marr pjesë në operacion policor-ushtarak, ku kanë bërë dëbimin me dhunë të civilëve nga pronat e tyre, kanë rrahur, torturuar, plagosur dhe privuar nga jeta pesëmbëdhjetë 15 civilë shqiptar, si dhe zhdukur gjashtëmbëdhjetë 16 civilë të tjerë në dy lokacione në Skënderaj”.
Lidhur me rastin i dyshuari është intervistuar në prani të avoktatit sipas autorizimit dhe me aktvendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit 48-orë, njoftoi PK.
Kossev raportoi se i arrestuari është D.P.
















