Rafuna: Rritja e çmimit të energjisë do të godasë bizneset dhe qytetarët, pas rritjes 16.1% të vitit të kaluar

E publikuar: 02/02/2026 13:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Lulzim Rafuna

Lulzim Rafuna

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka deklaruar se OEK e sheh me shqetësim kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike si për bizneset ashtu edhe për qytetarët, duke paralajmëruar se një rritje e re do të ndikojë drejtpërdrejt në koston e prodhimit, standardin jetësor dhe fuqinë blerëse.

Ai ka thënë për Ekonomia Online se për bizneset rritja e çmimit të energjisë rrit kostot operative dhe të prodhimit, sidomos për prodhuesit vendorë, duke theksuar se importet kanë kaluar mbi 7 miliardë euro, ndërsa eksportet kanë rënë në 940 milionë euro, krahasuar me 944 milionë euro një vit më parë.

“Po ne e shohim me shqetësim rritjen e çmimit të energjisë elektrike si për bizneset, si për qytetarët e Republikës së Kosovës. Për bizneset për shkak që rrit koston e prodhimit, që çmimi i energjisë elektrike është kosto operative për bizneset dhe rrit koston e prodhimit, sidomos te prodhuesit ku e kemi pikën më të dobët për shkak se importet na kanë mbërri mbi 7 miliardë, kurse eksporti na ka rënë në 940 milionë, ndërsa vitin e kaluar e kishim 944 milionë. Ndërsa për qytetarët e Republikës së Kosovës e shohim për shkak të uljes së standardit jetësor dhe për shkak që një rritje tjetër do të ndikojë drejtpërdrejt në xhepat e tyre, po që do të ulet edhe si fuqi blerëse në kuptimin e konsumit ose blerjes së mallrave dhe shërbimeve prej bizneseve. Kështu që ne e shohim me shumë shqetësim rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe nuk mendojmë që është e drejtë një rritje e tillë mbas rritjes që e kishim të vitit të kaluar në prill prej 16.1% për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe nxjerrjes së bizneseve në tregun e lirë”, tha ai

Ai ka shtuar se Oda Ekonomike do të presë zyrtarizmin e vendimeve për të bërë analizë të detajuar dhe për të kërkuar përfshirjen e Qeverisë dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike.

“Po të presim, të shohim derisa të zyrtarizohet, për shkak se tani jemi në fazën vetëm të propozimeve dhe kërkesave. Në momentin që do të zyrtarizohet, ne do të ulemi, do ta bëjmë një analizë, do të kërkojmë edhe prej akterëve, sidomos qeverisë që duhet me qenë e përfshirë në këtë rast dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për me pa se qysh mundemi me ndal ose qysh mundemi me tejkalu këtë sfidë”, tha ai.

Rafuna ka paralajmëruar se një rritje e re do të ishte goditje e rëndë për bizneset, duke përmendur se faturat për disa kompani që janë nxjerrë në tregun e lirë tashmë janë rritur nga 200 deri në 400 për qind.

“Shiko, një rritje e re e energjisë elektrike do të jetë një goditje e radhës për bizneset, për shkak se qysh tani bizneset të cilat janë nxjerrë në tregun e lirë faturat ju kanë ardhur 200 deri në 400% më shtrenjtë. Ndërsa shumë biznese të vogla që janë start-upe, familjare, e kanë pasur shumë të rëndë dhe e kanë shumë të rëndë qëndrimin në treg, përballjen me konkurrencën. Çmimi i energjisë elektrike është e vërtetë që ka qenë më i liri në rajon dhe kjo ka qenë një prej elementeve me të cilën ne jemi mundu me tërheq investitorë, duke përfshi edhe elemente të tjera që i ka pasur si Kosova. Kështu që një rritje e re do të jetë një goditje shumë e madhe për biznesin dhe nuk do t’i shërbejë thithjes së investimeve të huaja apo zgjerimit të investimeve të brendshme në Republikën e Kosovës”, tha ai.

KESCO ka kërkuar rritje mbi 21.3 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, duke u thirrur në rritjen e kostove operative dhe nevojën për sigurim të furnizimit të qëndrueshëm me energji.

Sipas aplikimit të dorëzuar në ZRRE, KESCO ka kërkuar që të hyrat e lejuara maksimale për vitin e ardhshëm të jenë 528.78 milionë euro.

“Pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme për vitin e ardhshëm, kërkesa për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 është 528.78 milionë euro”, thuhet në aplikimin që kjo kompani ia ka dorëzuar ZRRE-së.

Vitin e kaluar, KESCO kishte kërkuar të hyra të lejuara maksimale rreth 448 milionë euro, ndërsa ZRRE-ja kishte aprovuar rreth 436 milionë euro.

Si arsye për rritjen e kërkuar nga KESCO përmenden shpenzimet operative, kostoja e importit të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit gjatë sezonit dimëror, si dhe rritja e pagave të punëtorëve.

Ndërkaq, KEDS-i ka kërkuar 235 milionë euro apo 21 milionë euro më shumë se sa kërkesa fillestare e vitit të kaluar që ishte 214 milionë euro. Ndërsa, vitin e kaluar, ZRRE-ja i kishte aprovuar këto të hyra në vlerën prej 180.653 milionë euro.

Kurse kërkesa e KOSTT-it, që thotë se synon të ofrojë shërbime më cilësore për konsumatorët, është mbi 99 milionë euro, nga rreth 102 milionë euro sa ishte vitin e kaluar. Vitin paraprak, ZRRE-ja kishte aprovuar këto të hyra në vlerën prej 88 milionë euro.