Njohësi i çështjeve politike, Shenoll Muharremi, ka kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se shumë bllokada dhe zvarritje të panevojshme mund të ishin shmangur nëse do të ishte dëgjuar zëri i arsyes më herët.
Ai ka theksuar se edhe në çështjet e energjisë dhe ZRRE-së janë bërë gabime për shkak të mungesës së gatishmërisë për dialog.
Muharremi i ka bërë thirrje PDK-së dhe LDK-së që të marrin pjesë në takime për të gjetur zgjidhje kompromisi, duke potencuar se vetëm përmes marrëveshjeve politike mund të ketë përparim.
Shkrimi i tij:
Ka një kohë bukur të gjatë që Albin Kurti nuk ka bërë një veprim kaq të mirë si sot: konsultime me nivelin më të lartë të partive të tjera. Pra është konsensusi ai që po na nevojitet aktualisht. Bashkëpunimi dhe arritja e marrëveshjeve politike. Vendosja e interesit publik dhe shtetëror para interesit partiak dhe personal. Më askush nuk ka fuqi të lëvizë vetëm. I rekomandoj Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut me ju përgjigj ftesës pozitivisht dhe me tentu seriozisht me gjetë zgjidhje për zhbllokimin e situatës. Neve na duhen institucione funksionale për të gjetur zgjidhje për shumë sfida që po kalojmë aktualisht. Ky sot është një hap dhe veprim në drejtim të duhur.

















