Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, në Gjykatën Speciale ka mohuar se është keqtrajtuar nga UÇK-ja, kur ishte ndaluar nga forcat e saja.
Në Speciale, gjatë kohës që jepte dëshmi, ai kritikoi madje Dhomat e Specializuara duke thënë se ai është trajtuar më mirë nga anëtarë të UÇK-së, se sa që është trajtuar nga ky institucion, shkruan lajmi.net.
“Ai person që ka qenë me mu u sjell me mu si me prindin e vet. Isha shumë i etur, sikur tash që nuk na keni sjellë kafe. Ka zbritë, ma ka qelë pijen. S’kom pas problem as me ata as me kërkon. Nuk e di nëse ka qenë Rexhep Selimi”, tha ai.
“Ju thatë se personi me të cilin vozitët, ishte i sjellshëm me ju? A ju kujtohet nëse keni shkëmbyer ndonjë muhabet me të?”, u pyet tutje Dedaj.
Në secilën rrethanë, ai mohoi se dikush nga të akuzuarit është sjellur keq me të.
Ai madje tha se në një moment të caktuar, Rexhep Selimi i ishte drejtuar me fjalët ti je “intelektual”, si dhe i kishte kërkuar falje.















