Sahatqija: Gazetarët filmonin gjoksin e deputetes turke

E publikuar: 03/04/2015 18:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Teuta Sahatqija, deputetja e LDK-së, ka sqaruar deklaratën e saj se pse gazetarët, sipas saj, po spiunojnë.

Në Klan Kosova ajo ka thënë se një kameraman ka xhiruar gjoksin e një deputeteje turke të Kuvendit të Kosovës. Kjo, sipas saj, ka bërë që të reagojë në këtë formë duke e paralajmëruar deputeten.

“Mediat po shkruajnë lajme seksiste e mizogjene. I thashë deputetes se po të spiunojnë gazetarët. Një kameraman po xhironte deputeten turke, nga koka e gjer në këmbë. Nuk di a po xhironte këmbët a gjoksin e deputetes turke. Nuk jemi në Big Brother. Ky nuk është xhirim gazetaresk, por i paparacëve. Unë reagova në momentin kur po xhiroheshin gjokset e grave deputete”, ka thënë Teuta Sahatqija.

Ajo më tutje ka paralajmëruar se do të reagojë ndaj shkrimeve dhe raportimeve seksiste të gazetarëve të Kosovës, duke shtuar se është e gatshme të përballet me akuzat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.