Një studim australian te thuajse 17 mijë persona, për më shumë se 30 vjet, nuk ka gjetur asnjë lidhje mes përdorimit të celularëve dhe tumorit në tru. Gjithsesi, në çdo rast, këshillohet kujdes në përdorim.
Jo, celularët nuk shkaktojnë tumor në tru. Ky është përfundimi i një studimi të gjerë australian, i cili heton një çështje shumë të diskutuar – edhe pse debati mbetet i hapur – siguria e përdorimit të telefonave celularë. Kërkimi, i drejtuar nga Australian Radiation and Nuclear Safety Agency (Arpansa), i shfajëson celularët, duke nisur nga analiza e të dhënave të mijërave persona, në një periudhë më shumë se 30-vjeçare. Rezultatet janë publikuar në revistën Bmj Open.
Debati zgjat prej vitesh dhe ka pasur gjithnjë mendime të ndryshme. Ajo që është shqetësuese janë rafiofrekuencat, d.m.th rrezatimet e emetuara nga celularët që janë të ngjashme, për shembull me ato të televizorëve apo rrjeteve wireless. Këto emetime mund të nxehin veshjet, por deri më tani nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se shkaktojnë tumore.
Disa studime të mëparshme kishin gjetur një lidhje të dobët mes telefonave celularë dhe tumoreve në tru. Ndër të tjera, një studim i fundit nxjerr në pah këtë lidhje të mundshme, edhe pse rezultatet e arritura nga eksperimentet e bëra te kafshët, nuk janë domosdoshmërisht të vlefshme te njerëzit.
Një tjetër studim australian i Universitetit të Sidneit nuk ka gjetur asnjë lidhje të rëndësishme nga pikëpamja statistikore. Në përgjithësi, autoritete të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, theksojnë që deri më sot nuk ka dëshmi të efekteve negative të lidhura me telefonat celularë, edhe pse sipas OBSH, nevojiten studime të thelluara.
Këtyre fakteve u shtohet edhe vlerësimi i studiuesve të Arpansa që përjashtojnë mundësinë që telefonat celularë shkaktojnë tumore në tru, në veçanti glioma dhe gliobastoma. Hulumtimi analizoi të dhënat te thuajse 17 mijë australianë, të moshës 20 deri në 59 vjeç, nga viti 1982 deri më 2013. Studiuesit vëzhguan nëse kishte ndonjë lidhje të përdorimit të telefonave me incidencën e tumoreve në tru, duke iu referuar edhe regjistrit kombëtar australian.
Në bazë të rezultateve, normat e incidencës së tumorit në tru kanë mbetur të qëndrueshme gjatë gjithë periudhës së marrë në studim dhe nuk ka pasur një rritje të tyre, pavarësisht përhapjes së shpejtë të celularëve, veçanërisht duke nisur nga viti 2003. Nga 2003 deri në vitin 2013 nuk ka pasur rritje të rasteve të gliomës në lobin temporal, zona më e ekspozuar nga radiofrekuencat.
Studiuesit e Arpansa japin edhe këshilla për ata që janë të shqetësuar për sigurinë e celularëve, si për shembull të dërgoni mesazhe në vend që të flisni në telefon, të kufizoni kohëzgjatjen e telefonatave etj. /Monitor