Ministria ruse e Drejtësisë i shpalli të martën nëntë media amerikane, përfshirë Zërin e Amerikës, si “agjentë të huaj”.
Ministria radhiti në listë Radion Evropa e Lirë/Radio Liria dhe disa nga partnerët e saj, pas paralajmërimit muajin e fundit se ato mund të preken.
Presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi në nëntor ligjin që i jep autoritet qeverisë t’i shpallë mediet që financohen nga jashtë si “agjentë të huaj: dhe të vendosë sanksione ndaj tyre.
Zyrtarët rusë e cilësuan ligjin e ri si “përgjigje simetrike” ndaj asaj që ata e përshkruajnë trysni amerikane ndaj medies ruse. Më 13 nëntor, kanali televiziv i financuar nga shteti rus, RT, u regjistrua në Shtetet e Bashkuara në bazë të ligjit dhjetëra vjeçar për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA).
Ambasadori amerikan në Rusi, Jon Huntsman, tha se FARA synon nxitjen e transparencës, por nuk kufizon veprimtarinë e rrjetit televiziv në Shtetet e Bashkuara.
Departamenti amerikan i shtetit e dënoi ligjin rus tha ditë më parë duke theksuar se “legjislacioni i ri rus që i lejon ministrisë së Drejtësisë të përcaktojë mediet si “agjentë të huaj”, dhe të mbikëqyrë apo të bllokojë aktivitete të caktuara në internet, paraqet një tjetër kërcënim për mediet e lira në Rusi. /REL