Hoyt Yee rikthehet si ambasador i SHBA-ve te shqiptarët

E publikuar: 02/11/2017 15:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të rikthehen më fuqishëm në Ballkan, sidomos tash pas rritjes së ndikimit rus në rajon.

Mësohet se zëvendësndihmës sekretari amerikan aktual i Shtetit, përgjegjës për çështjet europiane dhe euroaziatike Hoyt Brian Yee, nga fillimi i vitit të ardhshëm do të emërohet ambasador në Shkup, dhe me kompetenca më të mëdha regjionale.

Këto burime të Gazeta Metro nga diplomatë të huaj në Shkup, kanë bërë të ditur se Yee postin e ambasadorit amerikan në Maqedoni pritet ta marrë në janar të vitit të ardhshëm.

Kjo lëvizje e diplomacisë amerikane, me rikthim në Ballkan do të jetë një sforcim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të mbrojtur interesat e veta dhe të partnerëve të saj në rajon, karshi ‘ofansivës’ ruse.

Kjo u dëshmua edhe ditë më parë kur diplomati amerikan Yee qëndori në Beograd. Ai i kishte thënë troç presidentit serb Aleksandar Vucic, se Serbia duhet të tregohet e qartë nëse është e përcaktuar në orientimin e saj drejt Bashkimit Europian (Perëndimit) apo kah Rusia.

Gjithashtu, mesazh të qartë i kishte dhënë edhe në raport me Kosovën. Vet presidenti serb në media tha se diplomati amerikan Yee e kishte kërcënuar duke i thënë se nuk duhet të guxoj ta cënojë integritetin territorial të Kosovës.