Përkrahje e madhe për AKR-në në Kamenicë, Canaj premton vende të reja pune

E publikuar: 19/10/2017 20:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është mbajtur tubimi përmbyllës zgjedhor i degës së Aleancës Kosova e Re në Kamenicë, ku edhe njëherë kandidati për Kryetar të Komunës Amir Canaj prezantoi pikat kryesore të programit të AKR-së.

Në mesin e qindra qytetarëve, i pranishëm ishte edhe Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli, i cili fillimisht i falënderoi kamenicasit për mbështetjen e tyre ndaj kandidatit të AKR-së. Duke folur për kandidatin Canaj, Presidenti Pacolli theksoi se me fitoren e Aleancës Kosova e Re, Kamenica do të ketë investime të reja si dhe furnizim me ujë të pijes për qytetarët. “Amir Canaj është njeri i ndershëm i cili ka përvojë të jashtëzakonshme në menaxhim dhe është i gatshëm që të ofrojë angazhimin e tij të plotë në shërbim të qytetarëve të Kamenicës”, tha në fjalimin e tij lideri i AKR-së.

Ndërsa kandidati për Kryetar të Kamenicës, Amir Canaj duke kërkuar besimin e qytetarëve, tha se me jetësimin e programit të Aleancës Kosova e Re, Kamenica do të ndryshojë rrënjësisht. “Programi ynë parasheh ndërtimin e shkollave, rregullimin e infrastrukturës dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, theksoi ai duke premtuar edhe subvencione për bujqit e kësaj Komune.
Në tubim të pranishëm ishin edhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor Albena Reshitaj, Zëvendësministrat e AKR-së, Rejhan Vuniqi, Arbër Geci, Vesel Makolli si dhe përfaqësues të tjerë të partisë nga qendra.