Një valë e re masash të rrepta pritet të zbatohen në vendet e punës në Kosovë, pas vendimit të fundit të Qeverisë për forcimin e kontrollit dhe rritjen e sigurisë në sektorët me rrezikshmëri të lartë.
Sipas vendimit të Ministrisë së Punës, Inspektorati Qendror i Punës do të nisë menjëherë një aksion të jashtëzakonshëm inspektimesh në gjithë territorin e vendit, i cili do të zgjasë 15 ditë. Inspektimet do të jenë intensive dhe do të zhvillohen edhe gjatë fundjavave dhe jashtë orarit të rregullt.
Subjektet që nuk respektojnë masat bazike të sigurisë do të përballen me ndalimin e menjëhershëm të aktivitetit, gjoba dhe masa të tjera ligjore, deri në përmbushjen e kushteve të kërkuara.
Gjithashtu, është paraparë organizimi i punës me ndërrime të zgjatura, rotacion i detyrueshëm i inspektorëve dhe krijimi i një task-force të përkohshme në bashkëpunim me institucionet relevante.
Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit nga ministri Andin Hoti.
















