Programi i Abrashit për sport parasheh funksionalizimin e Pallatit të Rinisë

E publikuar: 24/09/2017 13:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë prezantimit të Programit për sport, ka thënë se Pallati i Rinisë në Prishtinë do të kthehet në pronësi të komunës dhe do të modernizohet në funksion të të rinjve që merren me sport dhe rekreacion.

“Gjatë mandatit katërvjeçar fokus të veçantë do të ketë ndërtimi i fushave rekreative dhe sportive në çdo lagje të kryeqytetit, ndërsa Pallati i Rinisë t’i kthehet komunës së Prishtinës, në mënyrë që të rinjtë e qytetit t’i shfrytëzojnë ato hapësira për të cilat janë paraparë”, ka thënë Abrashi.

Programi i Abrashit për sport parasheh që çdo lagje e Prishtinës të ketë Qendrën Rekreative Sportive – sipas standardeve ndërkombëtare, të cilat do të ndërtohen me buxhetin e komunës dhe përmes partneritetit publik-privat.

Ai tha se te sportet shkollore do të ketë fokus të veçantë, në konsultim me pedagogët dhe ekspertët e sportit të forcohen kushtet për ligat shkollore, të cilat do të funksionalizohen në mënyrë që të kenë mundësi për zhvillimin e talentëve të rinj.

Abrashi ka thënë se sportit do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së tij. Ai ka premtuar se brenda qeverisjes së tij Prishtina do të ketë nga një fushë sportive-rekreative në çdo lagje dhe është zotuar që do ta bëjë ligën shkollore në Prishtinë, me qëllim që fëmijët të nxiten që të merren sa më shumë me sport.

Abrashi bashkë me anëtarë të tjerë të LDK-së nga të gjitha degët dhe nëndegët e Prishtinës, kanë organizuar një turnir në futboll të vogël ku më se 30 ekipe do të garojnë për vendin e parë. Në turnirin që po mbahet në Arbëri, Abrashi ka qenë pjesë e ekipit Velania.