Shehi: Bëm detyrën, kualifikimi nuk varet më nga ne (Video)

E publikuar: 20/06/2016 19:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

E detyruar të presë deri të mërkurën për të mësuar nëse do të kualifikohet në 1/8-at e Kampionatit Europian. Ankthi për shanset e kuqezinjve që të vazhdojnë ëndrrën është i madh, megjithatë, portieri Orges Shehi thekson se pjesa më e vështirë kaloi, me Kombëtaren që bëri detyrën në Francë.

Orges Shehi: Mendoj që vështirësia jonë ka kaluar. Për atë që duhej të jepnim në fushë e dhamë. Gjërat nuk varen më nga këmbët tona. Ne e kemi bërë detyrën tonë. Tashmë shpresojmë te fati që me fitoren e arritur të vazhdojmë më tej.

Pavarësisht se, si portieri i tretë Alban Hoxha dhe mbrojtësi Naser Aliji, Orges Shehi është ndër të paktët kuqezinj që nuk janë aktivizuar për asnjë çast në sfidat e Euro 2016, emocionet dhe përjetimi i ndeshjeve ka qenë maksimal.

“Ne që jemi pjesë e kësaj skuadre, jemi shumë krenarë që ndodhemi në këtë event kaq të rëndësishëm. Një nga armët tona më të forta është kolektiviteti. Nuk ka hatërmbetje përse nuk zbresim në fushë. Ne që qëndrojmë në stol i ndjemë emocionet e lojës njësoj si ata lojtarë që janë në fushë.”

Edhe pse preferoi të mbetej i përqendruar te Kombëtarja, “gardiani” komentoi edhe shortin e Skënderbeut në turin e dytë eliminator të Champions, ku do të ketë përballë një rival të vështirë, si hungarezët e Ferencvaros.

Orges Shehi: Nuk do të preferoja të flisja tani për shortin e Skënderbeut, pasi jam me Kombëtaren dhe përqendrimi është maksimal. Përsa i takon shortit të Skënderbeut është mjaft i vështirë, por duhet të përballemi. U bënë vite që nuk bëj pushime, por shpresoj që sakrifica t’ia vlejë.