Rama zbulon tjeter detaj nga Arena Kombetare

E publikuar: 27/04/2016 12:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i vendit Edi Rama, ka zbuluar një tjetër detaj interesant të “Arenës Kombëtare”, stadiumit të ri që do të ngrihet mbi aktualin “Qemal Stafa”, fasada e të cilit do të ruhet edhe në impiantin e ri. Prezantimi i projektit të stadiumit të ri, pak ditë më parë është shoqëruar me polemika nga më të ndryshmet. Njëra prej tyre ka patur të bëjë me ruajtjen e trashëgimisë kultorore të Qemal Stafës, së cilës kreu i ekzekutivit shqiptar i është përgjigjur menjëherë duke postuar në profilin e tij në Facebook, se fasada aktuale e stadiumit Kombëtar do të ruhet.

Në një nga foto e postuara duket qartë pjesa ballore e Qemal Stafës, e cila do të jetë po njëlloj, por këtë herë në brendësi të Arenës Kombëtare, me Kryeministrin Rama që shkruan në postimin që shoqëron fotot, se fasada e Qemal Stafës të cilën e etiketon si të vetmen gjë me vlerë në “gërmadhën” e mbetur do të ruhet e integruar në zemër të impiantit të ri, aty ku do të jetë edhe Muzeu i Kuqezinjve. Në foton tjetër duket në një plan më të afërt edhe hyrja e Arenës Kombëtare e cila jep një ide më të qartë se si do të duket pjesa ballore e stadiumit të ri nga poshtë. Në fund, kryeministri e mbyll postimin e tij duke siguruar se “gjatë zhvillimit të projektit nga ideja në realitet, transformimi do të jetë spektakolar” ndërsa shprehet se “Pa Asnjë dyshim, Arena Kombëtare do të jetë një nga stadiumet më të bukur të Europës”.