BE zgjat sanksionet ndaj disa individëve dhe subjekteve ruse

E publikuar: 09/03/2016 20:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadorët e Bashkimit Evropian sot kanë zgjatur ngrirjen e aseteve dhe ndalesat e vizave për 146 njerëz dhe 37 subjekte, të cilat, sipas Bashkimit Evropian, kanë përfitur nga aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë, apo kanë qenë përgjegjëse për veprime kundër integritetit territorial të Ukrainës.

Lista, e cila do të zgjatet edhe për gjashtë muaj, përfshinë zëvendëskryeministrin rus, Dmitry Rogozin, këshilltarin e presidentit rus, Sergei Glazyrev dhe Dmitry Kiselyov, të cilin shumë e cilësojnë si shef të propagandës së Kremlinit.

Subjektet që janë në këtë listë përfshijnë kompani në Krime dhe batalione të ndryshme të formuara nga separatistët e mbështetur nga Rusia, në lindje të Ukrainës.

Tre persona, që tashmë kanë ndërruar jetë, janë larguar nga lista, përfshirë Igor Sergun, ish-drejtori i GRU-së, drejtoria kryesore e inteligjencës së forcave të armatosura të Rusisë.

Ky vendim do të hyjë në fuqi më vonë këtë javë./REL/