Isha nxënëse e klasës së tetë fillore kur u njoha me një djalë. Ishte i pashëm, por edhe i sinqertë. Fill pas njohjes filluam të takoheshim shpesh. Dhe, sa herë që dilnim më përqafonte. Aso kohe ndjeja se bota ishte imja. Gradualisht fillova ta doja shumë… Edhe në sytë e tij vërehej haptazi dashuria e tij për mua. Andaj, kurrë nuk ka ndodhur t’më bezdiste a t’më lëndonte… Ishte tepër i matur me veprime dhe asgjë nuk bënte që shkonte në dëm timin.
Kështu, i kaluam bashkë dy vjet pa asnjë konflikt, qoftë ai edhe shumë i vogël.
Por, një ditë atij iu desh të shkonte në një shtet tjetër, ku i duhej të qëndronte një vit. U mërzita shumë nga ikja e tij, por prapë më mbanin të fortë fjalët e tij të ëmbla: “Mos u mërzit jeta ime se unë do të kthehem! Më premto se do të qëndrosh besnike dhe asgjë më shumë…”.
Ai shkoi e mes nesh gjithçka ishte në rregull derisa një ditë një vajzë e dajës së tij më tha: “Mos e prit se ai ka femër tjetër. Ia kam parë fotot në telefon bashkë me tjetrën, kurse ti je vetëm lodër në duart e tij”.
U mërzita shumë e u zemërova, aq sa nga nervoza e pranova në lidhje shokun e tij, i cili më propozonte me muaj të tërë të ishim në lidhje… Sidoqoftë, në mendje më rrinte vetëm ai dhe kjo bëri që nuk kisha ndonjë afri me shokun e tij, edhe pse krijuam lidhjen.
Dhe, pas një muaj lidhjeje me shokun e tij, ai u kthye nga Perëndimi, ngase kishte marrë vesh idiotësinë që ia bëra me shokun tij të ngushtë. Sidoqoftë, nuk kaloi shumë kohë e u ndava nga shoku i tij, sepse nuk doja ta merrja në qafë, meqë fare nuk e doja, por lidhjen e krijova nga inati…
E, më e keqja, nga mllefi që e kisha tradhtuar, ai shpejt e shpejt u fejua me një tjetër, edhe pse ende në sytë e tij vëreja po atë dashuri që kishte edhe dikur për mua…
Kur erdhi koha e martesës së tij, dy ditë para dasmës, në orën gjashtë të mëngjesit, një cingërimë u dëgjua në telefonin tim. Kur e hapa telefonin, ishte zëri i tij:
“Eja te unë e bëhu nusja ime!”.
“Më fal shumë, por s’mundem, edhe pse të dua marrëzisht! Martesa jote më shti të gjallë në varr, por nuk dua t’ia prish lumturinë të fejuarës tënde”, ia ktheva.
Tash ai ka një vajzë dhe ia ka lënë emrin tim…/A.D/Kosovarja/