B92: Kosova në Zrenjanin, pa simbole dhe himn

E publikuar: 02/12/2015 16:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Taekwondistët nga Kosova kanë aplikuar për pjesëmarrje në kampionatin e Ballkanit në Zranjenin, por nuk do të mund të përdorin simbolet e tyre dhe himnin kombëtar, është konfirmuar për B92.

“Aleanca jonë duhet të veprojë sipas udhëzimeve të shtetit dhe organizatori duhet të sigurojë garën në nivele më të larta. Simbolet dhe himni i Kosovës nuk do të lejohen. Ne jemi të befasuar nga kjo situatë dhe shoh se Aleanca kërkon një zgjidhje për këtë.

Më e udhës do të ishte nëse ata nuk do të merrnin pjesë në këtë garë në Serbi, sepse Kampionati Ballkanik nuk është shumë i rëndësishëm, kështu që ata kanë mundur që ta kalojnë këtë garë”, ka thënë për B92 Dragan Joviq, anëtari i komisionit teknik i Federatës serbe të Taekwondos (TAS).

“Pluhuri” më i madh është ngritur kur është vendosur flamuri i shtetit të vetëshpallur, Kosovës, në sajtin zyrtar të kësaj gare, shkruan B92, transmeton Koha.net.

“Në shumë mbledhje të Federatës Botërore të Taekwondos (WTF) kemi penguar ecurinë e Kosovës dhe kemi biseduar për këtë temë deri sa nuk është bërë zyrtarisht anëtare. Pas pranimit në WTF, Kosova është pranuar edhe në Bashkimin Evropian të Taekwondos dhe pastaj edhe në atë të Ballkanit.

Ne këtë nuk kemi mundur ta parandalojmë. Njoftimi për shfaqjen e flamurit është njoftimi online me flamuj të vendeve të botës. Personi i cili është përgjegjës për këtë njoftim është programuesi dhe personi teknik, gjë që do të thotë se ishte një keqinformim në lidhje me këtë, dhe pas pranimit të emailit nga Aleanca flamuri është larguar”, ka shtuar Joviq.

Kampionati Ballkanik i Taekwondos është planifikuar të mbahet më 5 dhe 6 dhjetor në Zrenjan.