Shteti me çdo kusht duhet ta ruaj sovranitetin madje edhe kur përballet me superfuqi

E publikuar: 25/11/2015 14:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Petrit Gashi

Sovraniteti është njeri nga komponentët me kryesore të ekzistencës se shtetit, të zhvillimit të tij si dhe të marrëdhënieve të tij më shtetet tjera. Sovraniteti nënkupton kontrollin efektiv të tokës, ujit dhe ajrit brenda kufijve të një shteti, dhe nëse vetëm për pak metra cenohet (shkelet) ajo nënkupton shkelje të gjithë territorit të vendit. Në ruajtje të sovranitetit të vendit nuk duhet kursyer mjete dhe nuk duhet pyetur të tjerët, sepse shteti është i popullit dhe në çdo rrethanë kërkon mbrojtje nga populli. Këtu pa dashur të hyjë me thelle po citoj njërën nga fjalimet me të fuqishme të z.Obama kur thuhet se: “Patriotizëm është nëse populli i shërben vendit në çdo kohë, madje edhe atëherë kur është kundër Qeverisë së tij”, kjo nënkupton se ruajtja e sovranitetit nuk duhet të jetë në duar të dy apo tre individëve ( që mund të jene edhe udhëheqës qeveritar) por duhet të jetë obligim i secilit.
Ngjarjet e djeshme në Turqi konfirmojnë edhe me realisht se pavarësisht fuqisë së madhe të shtetit tjetër, sovraniteti duhet ruajtur, dhe për mendimin tim rrëzimi i një aeroplani bombardues rus brenda territorit të Turqisë është një leksion i mire edhe për liderët e vendit tonë se si duhet reaguar në mbrojtje të shtetit dhe sovranitetit të tije. Ndërkohë ajo që të bije në sy është se edhe analistet, edhe politikanet, edhe shoqëria civile edhe gazetaret lavdëruan veprimet e qeverisë në mbrojtje të sovranitetit, e që rrjedhimisht dëshmon se pavarësisht ndasive të brendshme politike shteti është para se gjithave.
Tek NE në Kosovë sikur nuk është kuptuar drejtë apo nuk dëshironin ta kuptonin se çka do të thotë shteti? Çfarë do të thotë sovranitet, e çka do të thotë patriotizëm?
E vërteta është se tek ne, çdo dite e me shume cenohet sovraniteti, rrënohet shteti dhe prap analistet, politikanet, gazetaret e shoqëria civile (nënkuptohen jo që të gjithë) vihen në shërbim të qeverisë për t’jua ruajtur pushtetin por edhe jo për të mbrojtur sovranitetin e shtetit. Tani edhe me shumë po i jep mbështetje ruajtjetës se sovranitetit dhe rëndësisë se tij, ky veprimi Turk i kohës moderne, duke dëshmuar se nuk duhet zgjedhur faktorët që e cenojnë dhe as shtetet të cilët janë fuqi e botës ne mbrojtje te vendit sepse cenimi i vetëm një metër cenon komplet vendin dhe prestigjin e tij ndërkombëtar.
Ne Kosovë, një qeveri e korruptuar e cila nuk e dinë se çka është shteti dhe si ruhet sovraniteti, për çdo ditë bënë koncesione në mbrojtje të pushtetit për ta rrënuar shtetin. Sovraniteti i Kosovës shkelet për çdo ditë në vend, madje edhe nënshkruhen marrëveshje për shkelje të tij, ndërsa përgjigja e një Kryeministri ( në këtë rast Isa Mustafa) është se nuk e kemi ditur, nuk jemi të njoftuar! Çfarë Hipokrizie? Nuk kemi ditur për shtetin tonë!?
Zhvillimet në Turqi, dhe në gjitha shtetet e civilizuara të botës duhet ta mobilizojnë edhe më tej popullin dhe qytetaret e Kosovës se shkelja e sovranitetit është e papranueshme dhe për këtë gjë nuk ka të drejtë askush ta amnistojë askë. Marrëveshjet e Brukselit, Zajednica, Demarkacioni me Malin e Zi, Marrëveshjet tinëzarë të Kryekriminelit serb për hapësirën ajrore të Kosovës e shumë të tilla duhet të jenë frymëzim për manifestimin qendrorë kundër marrëveshjeve të dëmshme të ftuar nga Opozita që do mbahet me 28 nëntor të këtij viti. Populli është para të gjithëve dhe kjo nënkupton jo vetëm ekzistencën e tyre, por edhe ruajtjen e tërë vendit dhe sovranitetit të tij nga çdo faktor i jashtëm, qoftë ai edhe një superfuqi. Në momentin kur hynë dhe del kush të dojë në shtetin tënd pa të pyetur fare, atëherë ne nuk kemi sovranitet, nuk kemi shtet e besa nuk kemi as zotë shtëpie.
Të dashur qytetar, dhe ju njerëz të vullnetit të mirë, ju që me dekada luftuat e punuat për këtë sovranitet, me 28 nëntor manifestoni paqësisht qëndrimin tuaj se nuk kemi tokë për të falur, nuk kemi shtet për ta shkelur kush të dojë pa na pyetur fare, dhe nuk kemi pasuri për të na vjedhur të huajt. Ne jemi këtu dhe këtu do të jemi dem baba dem, gjersa mali të behët hi dhe hiri mal përsëri.