Patriotizmi i strukturuar mbi mllefin dhe megalomanin është gjëja më e shëmtuar që mund të ketë parë njeriu

E publikuar: 19/11/2015 18:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Labinot Gjini
Nëse do të më pyesnin se cila është gjëja më e shëmtuar që ke parë ndonjëherë, unë do të përgjigjësha se është momenti kur kam parë njeriun duke u thirrur (e mbështetur) mbi veprimtarinë e tij të dikurshëme për të mbrojtur tradhëtinë, të keqen, poshtërsinë, mizorën në të tashmën. Nuk besoj të ketë diçka më të shëmtuar se të shohësh njeriun duke baltosur si më keq gjën më të mirë që ka mundur të bëj në jetën e tij ndonjëherë.
Këtë gjë kaq të shëmtuar e kam parë për herë të parë para shumë vitesh në rininë time të hershëme kur një njeri, tek i cili besoja dhe thuaja se idealizoja veprimtarinë e tij që kishte dhënë, sado të vogël që ishte, për kombin. Për krejt pak kohë ky njeri bëri ç’mos që t’a baltoste veprimtarinë e vetë duke dalur hapur kundër shkollës shqipe (në mërgatë) dhe duke e luftuar atë me të gjitha mjetët e mundshëme. Pas kësaj, refleksionet e gjata më sollën të kuptoja se tek disa njerëz patriotizmi ishte i strukturuar mbi mllefin dhe megalomanin dhe jo mbi një vizion politik, mbi idealin, urtësinë, njohjen dhe mendimin racional të të kuptuarit dhe të të vepruarit. Isha vërtetë shumë i tronditur nga ky zbulim dhe nga kjo shëmti që më kishte dalur para syve. Aq i tronditur isha sa 15 ditë pa gjumë nuk më mjaftuan për t’u rikthjellur.
Prej atëherë kam parë shëmtira të tilla përditë, të cilat gjithënjë janë po aq të gërditshëme, por që mësimi dhe përvoja më kanë dhënë mjetët për t’i përballuar tronditjës me më shumë lehtësi.
Pra, po e zbulojn veten dhe po i zbulojm ne ata të cilët “patriotizmin” e tyre e kishin dhe e kanë të strukturuar mbi mllefin, mbi megalomanin, mbi urrejten, mbi egon e tyre dhe jo mbi një vizion politik, mbi një filozofi patriotike, idealin, urtësinë, njohjen, mendimin racional të të kuptuarit dhe të të vepruarit. Po e zbulojn veten dhe po zbulojm ne tek ata se është mllefi, urrejtja, megalomania, egoizmi, interesi personal që ka orientuar dhe orienton “patriotizmin” e tyre sipas konjukturave që ofron koha dhe nuk qenka filozofia patriotike, vizioni politik, ideali, urtësia, njohja, mendimi racional i të kuptuarit dhe i të vepruarit.
Një zbulim i tillë është tronditje për mikun, për shokun, për familjarin sepse shëmtia është e madhe dhe e rëndë për tu parë. Do të donim të gjithë t’ju ndihmonim që të gjejn arsyen dhe të kuptojn se mllefi, megalomania, urrejtja është vrasësi i tyre i vërtetë. Aq më pak ajo rini, ata njerëz, ata shqiptar që po i rezistojn ndaj të keqës që po i kanoset Kosovës. Nuk ka patriotizëm të mirëfillët që del kundër popullit të paarmatosur, kundër popullit të pa pushtetshëm, kundër popullit të varfër, kundër atyre që ju kanë lënë vetem mundësinë e rrugës për të ngritur zërinë e tyre për të shprehur idinjatën e tyre me situatën në të cilën ka mbërritur Kosova nga marrëveshjet me Serbinë. Nuk është patriotizëm i mirëfillët të dalësh në krah të një policie të armatosur deri në dhëmb dhe një pushteti që shpenzon miliona Euro për media për të propaganduar ideologjinë e tij fashiste dhe për të mbrojtur tradhëtinë e tij. Jo, kjo është ana në të cilën të çon mllefi, idiotizmi, egoizmi, megalomania e cila, kur veshët me rrobat e patriotizmit, është shëmtia më e madhe e kësaj bote.