Arabët dhe UNESCO!

E publikuar: 09/11/2015 22:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jusuf Thaçi

Reagim/sqarim me shkas!

Duke parë nivelin e lartë të injorancës ndër ne, por edhe tendencat dhe qëllimet e këqija të shumëkujt, po detyrohem të reagoj dhe të sqaroj disa gjëra në lidhje me “shtetet arabe” dhe “shtetet islame”.

1. Në botën e sotme nuk ka asnjë shtet që i plotëson kushtet për t’u quajtur “shtet islam”. Ato mund të quhen nga të tjerët e të vet-quhen shtete islame, por absolutisht nuk janë të tilla, duke filluar nga simboli i “shteteve islame”, Arabia Saudite. Arabia Saudite për dekada të tëra udhëhiqet nga monarkë (linja e gjakut), gjë që nuk është e lejuar me Islam. Për më keq, këta monarkë janë injorantë dhe diktatorë, cilësi këto të papranueshme për një udhëheqës të shtetit islam, sipas Islamit. Më keq se kaq, populli i Arabisë Saudite (sigurisht me përjashtime) Islamin e zbaton si traditë e jo si besim. Prandaj, shtetet si Arabia Saudite nuk mund të quhen as shtete islame e as shtete myslimane. Kjo vlen për shumicën e vendeve arabe e jo-arabe me shumicë myslimane syni.

2. Për disa shtete me shumicë myslimane shija, armiqtë kryesorë janë vendet-shtetet me shumicë myslimane syni, pavarësisht se kush janë e nga janë. Prandaj nuk mund të pritet përputhje në qëndrime e votime në mes, ta zëmë, Arabisë Saudite dhe Sirisë. E sigurisht nuk mund të pritet përkrahje për Kosovën nga Irani, Siria e Iraku.

3. Shumica e vendeve arabe që kanë qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane kanë qëndrime negative e averzion, edhe si shtete edhe si popuj, ndaj Turqisë së sotme dhe ndaj gjithë trashëgimisë kulturore e fetare të Perandorisë Osmane në botë, përfshirë edhe Ballkanin ku jemi ne shqiptarët. Prandaj nuk mund të pritet nga shumë vende arabe që të jenë të interesuara për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, shumica e të cilës vjen nga koha e Perandorisë Osmane, apo edhe më herët, nga Bizanti e Roma.

4. Edhe shtetet arabe, si shumica e shteteve të botës, diplomatikisht udhëhiqen nga parimet e interesave të tyre e jo nga sentimentet e ngjashmëritë religjioze. Në këtë kontekst, duhet ta dimë që për një numër të madh të vendeve arabe Rusia paraqet atë që paraqet SHBA-ja për ne shqiptarët, prandaj normalisht që do t’i nënshtrohen vullnetit të Rusisë.

5. Ne shqiptarët duhet ta pranojmë që kemi dështuar diplomatikisht që t’i “detyrojmë” shtetet arabe që të rishikojnë marrëdhëniet e tyre me “Jugosllavinë e Titos”, sepse atyre ju ka ngelur ora në shekullin 20.

6. Aman mos bëni gabim dhe ta ngatërroni Arabinë Saudite me Emiratet e Bashkuara Arabe, duke i konsideruar ato si i njëjti shtet, kur në fakt janë dy shtet të ndryshme. Ky nivel i injorancës nuk tolerohet as për një fëmijë 10 vjeçar.

7. Aman mos bëni gabim dhe ta ngatërroni Iranin dhe popullin iranian me arabët, sepse iranianët janë persë e jo arabë. Ky nivel i injorancës nuk tolerohet as për një fëmijë 11 vjeçar.