Marrëzirat e një Qeverie

E publikuar: 07/03/2015 12:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Halil Matoshi
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe kabineti i tij, janë gjetur në pozitë paniku përballë publikut. Të gjithë po frikësohen se mund të gabojnë dhe të gjithë edhe po gabojnë. PDK-ja po vëzhgon si “Princ hijesh”, kurse LDK-ja me dy duart në zjarr përballet me një situatë shpërthyese, sociale e politike. Ky kabinet edhe ndonjë punë të hajrit nuk po di si ta plasojë dhe “ta shesë” në publik, kurse budallallëqet e ministrave s’kanë të sosur. Kur flasin të gjithë mbarë e mbrapsht, rend e pa rend, mbretëron kakofonia dhe budallallëqet, pra, dalin n’shesh

Java e fundit kosovare dëshmoi se jo vetëm pushteti politik, por edhe disa oligarkë e kanë zaptue shtetin, ata blejnë dekorata, ata fyejnë qytetarët, gazetarët, madje edhe familje të tëra kosovare, paturpësisht dhe në pikë të ditës, në sy të pushtetit politik dhe atij gjyqësor, me fodullëk e pa pasë frikë nga ligji, sepse Qeveria THaçi 1 dhe 2 i ka ngritë mbi ligjin..

Një natë, kryeministri si me u pas çue jerm, i kishte etiketuar gazetarët si “qëllimkëqij” që po shihkan veç zi; ni tjetër natë ishte fascinuar me Rita Orën, e cila si për shpoti ndaj kryeministrit u shfaq në Hollywood pa brekë (kjo nuk do të thotë se kosovarët që e duan muzikën nuk bëka të krenohen më të) ose për t’ua përkujtuar shqiptarëve thënien e lashtë: “Mbreti asht lakuriq”.

E këtë na e dëshmoi kryeministri të tretën natë, kur ai si narcisoid e lavdojke veten duke kritikuar KTV-në: “Uh sa mirë kisha folë dhe ia kisha qëllu…” etj.

Po ky njeri duhet ta dijë se nuk është aty ku është për t’ia qëlluar (le të luajë loto ose bastore sportive nëse shquhet për afinitete të tilla!?) dhe as për fjalë të bukura, por për ta ndreqë vendin, pra për t’u shërbyer qytetarëve.

Kurse para syve të tij, oligarkë të tjerë (që rrinë pezull mbi ligjin si në qilim fluturues) po përdorin gjuhën e urrejtjes të përmasave të një fashizmi ndaj qytetarëve, gazetarëve ose edhe familjeve të tëra, duke e pandehur veten si të paprekshëm, duke qenë se, – është sekret publik – i kanë financue fushatat paraelektoarle të Thaçit, Haradinajt, Mustafës, Kurtit…

Në arealin panshqiptar, skandali i parë i madh në këto raportet e sëmura ndërshqiptare doli të ishte dekorimi i Behgjet Pacollit nga kryetari i Shqipërisë, Bujar Nishani, me urdhrin “Nderi i Kombit” dhe si për ta vulosur hipokrizinë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, i kishte thurë një odë biznesmenit kontrovers nga Mareci i Kosovës.

Derisa disa media në Tiranë talleshin me raportet klienteliste mes familjes së “Jar-it”, siç e quanin Nishanin dhe njeriut të Rusisë në Kosovë, siç i atribuohen Pacollit mediat në Prishtinë, të shumtën nuk e konsideruan fare lajm dekorimin e tij, kurse ato të HTH e heshtën informatën, mbasi që, pushteti i HTH-së ia ka hangër paret, e tash e flakë tej – nuk i vyen më – ndërkohë që partia e Pacollit nuk e ka kaluar censusin prej 5% për të hyrë në Kuvendin e Kosovës.

Dhe secili qytetar normal i këtij vendi, që e konsideron veten pjesë të kombit shqiptar, e vret mendjen, jo pse një oligark mund të blejë një dekoratë, po si është e mundur që një kryetar shteti ta shesë atë dhe një kryeministër ta legjitimojë me gojë e me shkrim!?

Si është e mundur t’u ndodhë shqiptarëve kjo përmbysje morale?

Shumë vëzhgues të rrethanave politike në Kosovë po shpreheshin jo krejtësisht pa cinizëm se nëse BP qenka nder i kombit – ky nuk qenkësh ndonjë komb për të thënë!?

Ky komb, mjerisht, është zaptuar nga një klasë politike e përbërë prej mujsharësh egërshanë e injorantësh, prej politikanësh trutharë e lakmitarë që shesin urdhra e dekorata në emër të kombit për një grusht monedha dhe prej oligarkësh harbutë, që njohin sall shkëlqimin e lekut, që shesin “dushk për gogla” dhe blejnë dekorata, të cilat ua shquajnë atyre lavdin dhe heroizmin, i cili, tek shqiptarët blihet si mall konsumi, sepse anembanë hapësirës gjeografike shqiptare punojnë punëtori që shtypin certifikata patriotike dhe që shkrijnë zift për të derdhur dekorata në flakë dukati.

Shqiptarët, këta njerëz të dëshpëruar në veten e të mllefosur në tërë botën, heronjtë e vërtetë i ulin tek pluhuri, ndërsa horrat i ngrejnë tek retë…

Shikoni se çfarë ndodhi me listat e veteranëve e pjesëmarrësve të luftës së UÇK-së, për ta përligjur anën e ligë të shumë shqiptarëve, tendencën për ta blerë ose për ta falsifikuar lavdinë, e cila nuk u duhet gjithaq për t’i pasuruar, sa për t’u krekosur në mëhallat e zymta kosovare, para njerëzve të tjerë – si mujsharë që janë, pra për të shitur mend e për mburravecëri…

Prandaj s’ua ka besën kush, bëmave dhe historisë së tyre…

Në Kosovë së kendejmi pas rastit Jablanovic edhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar po dërdëllisnin fraza totalisht idioteske dhe të pakuptimta, duke qenë se nuk kanë dije as kreativitet për ndonjë punë të hajrit në shërbim të qytetarëve kosovarë.

Shqiptarët e Kosovës do të çoheshin peshë kur nifarë Mihailo Kertes, një ish-shef i shërbimit të sigurimit shtetëror serb (DB), njeri i pushtetit fashist të Milosheviqit, duke folë për natalitetin e naltë në Kosovë, i pati quajtur nënat kosovare “lavatriçe”.

Ose sa kryengritës ishin atëbotë (vitet ’90) kur lideri i fashizmit konsensual serb Slobodan Milosheviq më 1 qershor 1988 do t’i qasej temës së natalitetit të shqiptarëve: “Siç e dini, nataliteti në Kosovë është një nga më të lartët në botë, madje edhe më i lartë se në Shqipëri.

Kjo temë tabu deri vonë, tash ka filluar të shqyrtohet.

Nataliteti po merr elemente gjithnjë e më të mëdha shoqëroro-politike.

Popujt që jetojnë me shqiptarët po bëhen ditë e më të paktë dhe po e humbin territorin jetësor të tyre. Nëse nuk ndërmarrim asgjë çka do të mund të ndodhë në të ardhmen…” (“Nin”, Bograd, 8 korrik 1988). (Cituar sipas Ibrahim Berishës.)

Kurse tash, në pushtetin demokratik të Kosovës së lirë, dilemës maltusiane të ministrit Blerand Stavileci se a duhet të mendojnë para se ta krijojnë familjen shtatanëtarëshe ata që e kanë rrogën 300 euro, kryeministri fillimisht iu përgjigj me shukatologji!?

Sepse ministri Stavileci vjen nga PDK-ja, që ka një shef të vetin, një strukturim tjetër, që ka të tjera orientime dhe të tjera detyrime…

Dhe kryeministri, kur fjalët e tij pezmatuan shumë kosovarë, në vend se të guxonte “t’ia ngrehte veshët”, së paku ta detyronte në një kërkimfalje publikut, sepse e kishte dhier punën… (shprehje e amerikanes Jacobson) i doli në mbrojtje!???

Këta tipa psikotikë që kanë gjetë punë në Qeveri, duke mos mund t’i ofrojnë vendit prosperitet, po përpiqen ta disiplinojnë, përmes planifikimit të familjes.

Ta fusin rritjen e natalitetit në masa restriktive kur Kosova me emigrimin e fundit të rreth 173 mijë kosovarëve në vendet e BE-së, mezi e arrin shifrën e 1.5 milionë banorëve.

Ministri Stavileci para se t’u mbante kosovarëve ligjërata mbi planifikimin e familjes do të duhej ta dinte se në Kosovë në nëntë vjetët e fundit është shënuar rënie dramatike e natalitetit. Sipas drejtorit të Klinikës Gjinekologjike, Shefqet Lulaj, më 2014 janë lindur 10.913 foshnja më pak se në vitin 2000, që i bie 28 % më pak.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në vitin 1981, norma totale e lindshmërisë në Kosovë ishte mesatarisht rreth 4.5 fëmijë për një grua. Kurse sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më 2011 kjo normë është mesatarisht më pak se 2 fëmijë për grua.

Pra a nuk është të folur jermie ajo që e tha ministri, derisa familjet shtatanëtarëshe janë shndërruar në raritet në Kosovë.

Pra, ministër, paskësh ikur vakti (vitet ’70 – ’90) kur Kosova e ka pasur kuotën më të lartë të lindjeve në Europë.

Sado që ministri gojëshpërlarë hodhi dilema neomaltusiane (neo-Malthusianismi avokon për programe të kontrollit të popullsisë, për të sigurue burime për popullsinë aktuale dhe të ardhshme) në vend që të avokonte që të gjithë fëmijët kosovarë t’i kenë bazat e jetës – si ushqim, ngrohtësi, strehim dhe veshje, ai urdhëronte kosovarët që nëse i kanë pagat 300 euro të mos krijojnë familje shtatanëtarëshe.

Maltusianizmi ka dështuar globalisht, ngase në parim është logjikë idiotësh që mundohet t’i vihet një vlerë monetare jetës, që është e paçmueshme.

Futja e kalkulimeve të tregut ose incentivave financiare edhe në çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet individuale dhe morale të individëve ose edhe familjeve, janë në thelb politika abuzive dhe raciste.

Sipas Agron Demit, Michael J. Sandel në librin e tij “What Money Can’t Buy” (“Çka s’mund të blejë paraja”), liston pikërisht disa shembuj absurdë se si politikat shtetërore të cilat synojnë që të vëjnë rregull në planifikim familjar në fakt janë politika të cilat korruptojnë moralin e një shoqërie.

E në anën tjetër të “barrikadës”, nuk ndejtën duarkryq as kosovarët spirituozë në rrjetet sociale, që nuk e lanë pa e thumbuar ministrin, ngase sipas logjikës “ekonomike blerandiane” të shtimit të popullsisë, dilte se ata që jetojnë në varfëri ekstreme mund të këmbejnë vetëm fjalë dashurie mes veti, ata që jetojnë me ndihmat sociale prej 75 eurove duhej vetëm të putheshin, ndërsa ata që e kanë pagën mesatare prej 300 eurove mund të kenë vetëm një fëmijë.

Në vend që ministri të fliste se si t’u sigurohen prindërve që punojnë shtesat për fëmijët dhe sigurimet sociale, që familja kosovare të ndihet e sigurt, duke u dhënë fëmijëve të gjitha gjërat që ata kanë nevojë, për të dëshmuar se kosovarët kanë një Qeveri të përgjegjshme ai ripërsëritë: “’Njeriu duhet t’i shtrijë këmbët aq sa e ka jorganin”.

Përderisa është ministër, zyrtar publik dhe paguhet nga taksat e qytetarëve kosovarë, puna e tij është që të mendojë se si ta rrisë masën e jorganit, pra ta zgjasë atë e jo se si t’ua shkurtojë këmbët qytetarëve.

Pra, nëse nga BS edhe s’pritej ndonjë hajr, pamje zor e gëlltitshme ishte shfaqja e kryeministrit, si i çakorduar dhe i stresuar, tek e mbronte këtë ministër fodull, e komplet analfabet funksional, për sa u përket çështjeve demografike dhe atyre shtetërore, i cili, për më keq, nuk e di se ç‘është ndjesa – kërkimfalja – për fjalinë e tij neomaltusiane dhe raciste.

Kryeministri u shfaq po aq i çakorduar edhe kur foli për heqjen e TVSH-së, përkatësisht zbritjen e saj në zero, për bukën, qumështin dhe vajin, derisa vartësi tjetër i tij, Lutfi Zharku, të njëjtën ditë po thoshte se TVSH-ja do të zbresë në 6-7 %.

Kryeministri u vu në krah të BS, duke folur koti për planifikim të familjes, në kohën kur familjeve kosovare duhet rikthyer shpresa e vrarë, perspektivë për një shkollë më të mirë e për një punë, mbrojtje shtetërore, siguri e mirëqenie…

Para BS i patën sharë e denigruar nënat shqiptare edhe tradhtari Ali Shukria, fashisti Milosheviq e veglat qorre të pushtetit të tij, por ato, Zonjat – Nëna vazhduan ta ripërtërinin Kosovën, me dashuri & kryeneçësinë e tyre legjendare, por njëherësh edhe duke u arsimuar dhe duke bërë karriera të suksesshme në të gjitha rrafshet e jetës.

Mirëpo qe do, kur të rastisë të shohësh për herë të parë në jetë fytyra anonimësh që brenda natës bëhen ministra, duke e nënshkruar kontratën e parë të punës në jetën e tyre, me Qeverinë e Kosovës, ministra t’padijshëm e pa ide kreative, plot mllefe e komplekse, urrejtje etnike e fetare, duke u shfaqur madje deri edhe si fashistë (Jablanoviq) neomaltusian (Stavileci) e turbonacionalist (Valon Murati), i cili flet marrëzira: “Pozita e privilegjuar e komuniteteve joshqiptare, e veçanërisht ajo e komunitetit serb, është njëra prej arsyeve kryesore për emigrimin e shqiptarëve të Kosovës.”

Kurse një tjetër zyrtar i lartë i shtetit paskësh thënë se “shqiptarët e Kosovës po ikin nga frika prej demonstratave të VV-së” ectr.

A i kujtohet dikujt kur krimineli Milosheviq, në mars dhe prill 1999, u thoshte gazetarëve të huaj se shqiptarët kosovarë po iknin nga bombat e NATO-s.

Politikanët horra janë rëndom kushërinj ideologjikë, kurse marrëzitë e tyre përsëriten nëpër kohë./KOHA.NET/