200 milionë euro “të bllokuara” për mungesë të Bordit të OSHP-së, lista me 25 kandidatë ende në Qeveri

E publikuar: 26/02/2022 08:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP),qe gati një vit, ka mbetur pa bord funksional. Për pasojë, projekte në vlerë 200 milionë euro janë të bllokuara për shkak se nuk mund të shqyrtohen dhe të vendoset për ankesat e operatorëve ekonomikë të dërguara në këtë organ.

Tashmë më shumë se 25 kandidatë kanë aplikuar për anëtarë të Bordit të OShP-së, ndërsa njohësit e fushës prokurimit tërheqin vërejtjen se mund të përzgjidhen njerëz politikë, raporton Ekonomia Online.

Ylli Zekaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se si pasojë e mungesës së bordit të OSHP-së janë grumbulluar me qindra ankesa. Zekaj ka kërkuar që partitë politike t’i gjejnë profesionistë të fushës dhe të mos nxjerrin persona politikë në këto pozita.

“Kosova po përballet me mungesën e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, një institucion shumë i rëndësishëm duke pasur parasysh se mbi 500 milionë euro tani më janë të ndara gjatë vitit që kemi hyrë për të kaluar përmes tenderimit publik…

E kemi pa mandat dhe si pasojë e kësaj janë grumbulluar me dhjetëra apo me qindra ankesa në këtë organ shqyrtues të prokurimit publik dhe me qindra milionë euro tani më i kemi të bllokuara për shkak që nuk ka një organ të tillë për t’i shqyrtuar këto tenderë, këto pretendime për shkeljen në tenderim publik”, tha Zekaj.

Sipas tij, llogaritet se janë mbi 200 milionë euro vlera e projekteve, për të cilat operatorët ekonomikë kanë ushtruar ankesa në OSHP dhe këta tenderë tashmë janë të bllokuar.

Nga ana tjetër, shumë prej komunave kanë filluar të lëshojnë tenderë njëburimor apo të lidhin kontrata njëburimore për shkak të pamundësisë që të zhvillojnë procedurë të rregullt përmes prokurimit publik. “Kështuqë është e një rëndësie shumë të madhe, është me interes vital që të kemi sa më shpejtë OSHP-nëfunksionale, me qëllim që të gjithë procesi i tenderimit të shkojë sipas rregullave, sipas ligjit të prokurimit publik dhe të përfundojë me vendime meritore të këtij organi”, thotë Zekaj.

Ai thotë se politika ka ndikuar në procesin e zvarritjes të kompletimit të Bordit të OShP-së.

“Gjithsesi politika ka ndikuar për arsye se tanimë kemi një zvarritje të këtij procesi rreth një vit. Edhe pse kjo është dashur që të kemi bordin funksional menjëherë ose sipas ligjit për prokurimin publik kërkohet 30 ditë para skadimit të mandatit të bordit të shpallet konkursi me qëllim që të mos kemi këtë vakum. Por, ne këtë vakuum institucional e kemi tash e një vit… Patëm një dështim të një konkursi dhe shpresojmë që tani politika do të luajë rolin që e ka për interes të publikut, për interes të qytetarëve dhe të kemi sa më shpejtë që është e mundur bordin e kompletuar”, thotë Zekaj.

Qëndrim Arifi, hulumtues i lartë në INPO, thotë për Ekonomia Online se nuk është hera e parë që OSHP-ja mbetet jofunksionale dhe në të gjitha rastet ka pasur vonesa politike, pasi subjektet politike nuk arrijnë të dakordohen për kandidatët edhe pse ata duhet të jenë të pavarur.

“Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit mungon ose është jofunksional që nga marsi, saktësisht 31 marsi i vitit 2021 dhe deri më tash kanë kaluar pothuajse 11 muaj që ky organ është jofunksional. Realisht ky organ vazhdimisht është ballafaquar me situata të këtilla edhe nbë të kaluarën”.

Arifi thotë se procesi është ende duke u zvarritur e se nuk dihet se kandidatët që kanë aplikuar i plotësojnë kushtet apo jo. Mungesën e këtij Bordi, Arifi e konsideron si papërgjegjësi totale e institucioneve.

“Mos të harrojmë që këta kandidatë, procedurat e rekrutimit i nis qeveria dhe i administron formalisht të gjitha aplikacionet, të të gjithë kandidatëve që kanë shprehur interesim dhe atë listë me të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret formale i dërgon në Kuvend. Pastaj Kuvendi e cakton komisionin e vlerësimit, i cili përbëhet prej gjyqtarëve të Republikës së Kosovës. Momentalisht procesi ka mbetur te qeveria. 25 kandidatë kanë aplikuar zyrtarisht në bazë të të dhënave që i posedojmë, ndërsa këta emra ende nuk dihet nëse të gjithë i plotësojnë kushtet formale dhe ende nuk është dërguar në kuvend asnjë emër nga qeveria, nga kjo listë”.

Arifi thotë se si pasojë e mungesës së Bordit, shumë projekte kanë mbetur pezull.

“Si pasojë e mungesës së bordit, janë bllokuar shumë projekte në shumë institucione, shumë autoritete kontraktuese dhe qytetarët nuk do t’i marrin ato shërbime, furnizime, sepse shumica e tyre lidhen direkt me qytetarët, me jetën e tyre, me lehtësimin e jetës së tyre. Në të njëjtën kohë edhe ato para pra në qoftëse kemi të bëjmë fjalë për komuna shumica e tyre mund të kthehen te qeveria për shkak se janë nga granti i përgjithshëm dhe në momentin kur nuk shfrytëzohen ato mjete brenda vitit të caktuar fiskal detyrimisht kthehen përsëri në Qeveri. Dhe ka rrezik që Qeveria nuk do ta përkrahë përsëri në vitin vijues të njëjtin projekt”, tha Arifi.