Zvicra në alarm para Europianit

E publikuar: 30/03/2016 11:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zvicra në alarm përpara startit të Kampionatit Europian. Pas disfatës me Republikën e Irlandës, përfaqësuesja e drejtuar nga Petkovic u mposht në shtëpi edhe nga Bosnje Hercegovina. Sfida në stadiumin “Letzigrund” u fitua 2-0 nga boshnjakët, që hapën serinë e golave me Edin Dzeko-n, që zhbllokoi sfidën pas vetëm 14 minutave lojë.

Sulmuesi i Romës shfrytëzoi hapësirën e lënë nga Schar dhe me të djathtën e dërgoi topin në rrjetë. Reagimi i helvetëve ishte i dobët dhe tentativat e Rodriguez e Granit Xhakës nuk mjaftuan. Bosnja i ndëshkoi për të dytën herë zviceranët në minutën e 57-të me Miralem Pjanic. Ekzekutim i shkëlqyer i mesfushorit të Romës nga goditje standarde, me tifozët e shumtë miq që festuan në tribuna. Boshnjakët kishin shansin të realizonin edhe golin e tretë në sekondat e fundit me Seferovic, gjithsesi regjistruan një sukses që fillimisht dukej i papritur.

Kjo edhe për faktin se Zvicra nuk arriti të realizonte një goditje të vetme drejt portës, duke shfaqur probleme jo vetëm në mbrojtje, por mbi të gjitha me organizimin në mesfushë dhe në fazën ofensive. Në ndeshjen që mund të shërbejë si indicie për Kombëtaren kuqezi sesi mund të goditen zviceranët, në fushë u aktivizuan shqiptarët Xhaka, Kasami, Mehmedi e Tarashaj, Dzemaili qëndroi gjithë kohën në stol, ndërsa Shaqiri e Behrami u larguan nga skuadra prej dëmtimeve të lehta.